Bota
SHBA e shqetësuar për krizën e emigrantëve në Spanjë: Kërcënim për Evropën
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për krizën e fundit migratore në Spanjë, duke e cilësuar situatën si një sfidë serioze për sigurinë dhe sovranitetin e vendeve evropiane.
Në një deklaratë zyrtare, Uashingtoni shprehu mbështetjen për qytetarët spanjollë dhe vendet e tjera të Evropës, ndërsa kritikoi mënyrën se si autoritetet në Madrid kanë menaxhuar politikat e migracionit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, flukset masive të emigrantëve të paligjshëm përbëjnë një kërcënim për kontrollin e kufijve dhe të drejtat e qytetarëve.
“Ky incident është rezultat i përpjekjeve për të lehtësuar migrimin masiv të paligjshëm në Evropë”, thuhet në reagimin e DASH, i cili shton se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë masa për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe për të mbështetur aleatët evropianë që përballen me sfida të ngjashme.
Deklarata e Uashingtonit vjen pas krizës së krijuar në enklavën spanjolle të Ceutës, ku një fluks i jashtëzakonshëm emigrantësh nga Maroku ka vënë në vështirësi autoritetet kufitare dhe ka shkaktuar debat të gjerë politik në Evropë.
Çështja e migracionit pritet të mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes vendeve evropiane dhe aleatëve të tyre ndërkombëtarë, ndërsa qeveritë kërkojnë mënyra të reja për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian