Politike
“Kjo është zhvatje”/ Braçe: Shalqiri blihet me 6 lekë nga fermeri dhe shitet me 30
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si abuzim me çmimet e produkteve bujqësore, duke akuzuar tregtarët se po përfitojnë në kurriz të fermerëve dhe konsumatorëve.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe solli në vëmendje rastin e shalqirit, duke theksuar se fermerët në Divjakë e kanë shitur prodhimin për rreth 40 ditë me vetëm 6 lekë për kilogram, ndërsa në tregjet e zonave bregdetare ai është shitur me 30 lekë për kilogram.
Sipas tij, kjo diferencë e madhe nuk justifikohet dhe përbën një formë zhvatjeje ndaj prodhuesve. Deputeti socialist pretendon se tregtarët llogarisin rreth 10 lekë shpenzime dhe 10 lekë fitim për kilogram, ndërsa pjesa tjetër e diferencës mbetet sërish në favor të tyre.
“Kjo nuk është tregti, është zhvatje. Nuk e bëjnë bujqit, por tregtarët që po zhvatin bujqit dhe pjatat e turizmit”, shprehet Braçe në reagimin e tij.
Ai thekson se fermerët kanë shitur prodhimin pa fitim, ndërsa ndërmjetësit kanë përfituar ndjeshëm nga rritja e çmimit. Sipas Braçes, kjo situatë po dëmton jo vetëm bujqit, por edhe sektorin e turizmit dhe vetë konsumatorët.
Deputeti shton se çmimi i shalqirit në zonat prodhuese tashmë ka nisur të rritet dhe pritet të arrijë në 12-15 lekë për kilogram. Ai ngre pyetjen nëse kjo do të thotë se në bregdet produkti do të shitet deri në 45 lekë për kilogram.
Në fund të reagimit të tij, Braçe u bëri thirrje tregtarëve të reflektojnë, duke theksuar se praktika të tilla po dëmtojnë zinxhirin e prodhimit dhe tregtisë, ndërsa rrezikojnë të rëndojnë edhe më tej kostot për qytetarët dhe turistët.