Aktualitet
Berati ndër qarqet më të sigurta/ Hita: Por kontrollet do të vijojnë
Berati vijon të renditet ndër qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend, por kjo nuk do të sjellë ulje të kontrolleve dhe angazhimit të Policisë së Shtetit.
Mesazhi u dha nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë inaugurimit të godinës së re të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Hita u shpreh se investimi i ri do të përmirësojë kushtet e punës për efektivët e policisë, por njëkohësisht do të sjellë edhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Sipas tij, kombinimi i ambienteve moderne me profesionalizmin, etikën dhe korrektësinë e punonjësve të policisë do të ndikojë në rritjen e sigurisë për banorët e qarkut dhe turistët që vizitojnë qytetin.
“Drejtoria Vendore e Policisë Berat, duke pasur një numër shumë të ulët të krimeve të rënda, renditet ndër drejtoritë me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të ulim vëmendjen ndaj fenomeneve kriminale”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se parandalimi dhe goditja e çdo veprimtarie kriminale mbeten prioritet për të gjitha strukturat policore në vend.
Sipas tij, problematikat që lidhen me rendin dhe sigurinë do të vijojnë të jenë në fokus të punës së policisë, me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.