Bota
Vrau bashkëmoshatarin për borxhin 20 paund, shpallet fajtor 16-vjeçari
Një 16-vjeçar është shpallur fajtor për vrasjen e bashkëmoshatarit Joshua Ingram në stacionin e trenit Seaford, në Britani, ngjarje e ndodhur më 10 shtator 2025.
Sipas vendimit të gjykatës, krimi lidhej me një konflikt për një borxh prej 20 paundësh të krijuar nga blerja e kanabisit. Gjykata përcaktoi se autori përdori një thikë 19 centimetra gjatë përplasjes me viktimën.
Identiteti i adoleshentit nuk është bërë publik për shkak të moshës së tij. Ai kishte pranuar më herët fajësinë për akuzën alternative të vrasjes pa paramendim, duke e cilësuar ngjarjen si “një moment tragjik dhe të pamatur”.
Prokuroria bëri të ditur se para ngjarjes, 16-vjeçari i kishte dërguar viktimës mesazhe kërcënuese nëpërmjet Snapchat, duke e paralajmëruar për pasojat në rast të mosshlyerjes së borxhit.
Dy të rinj të tjerë, 15 dhe 17 vjeç, të përfshirë në çështje, janë liruar nga akuza për komplot për shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore me qëllim. Të tre të rinjtë pritet të marrin dënimin në muajin tetor.