Bota
Bota përballet me rritje të papritur të naftës, Marrëveshja e plotë Iran-Oman nënshkruhet të premten
Shanset për arritjen e marrëveshjes mes Iranit dhe Omanit janë të mëdha, ndërsa pritet që marrëveshja e plotë mes dy palëve të arrihet ditën e premte për Ngushticën e Hormuzit, ndonëse dje nga shumë media u raportua si fakt i kryer.
CNN raporton se një marrëveshje e tillë nuk do ta hapte automatikisht rrugën ujore.
Kjo pasi Irani gjithashtu ka mohuar çdo bisedë me SHBA-në, duke thënë se bisedimet e tij me Omanin janë dypalëshe, e duke kërkuar që në mesin e tyre të mos ndërhyjnë palët e treta.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve JD Vance, i cili në një interviste për Fox Neës tha se bisedimet për marrëveshjen me Iranin do të “ishin të çrregullta” dhe se “iranianët janë njerëz jashtëzakonisht të vështirë” me një “sistem të përçarë”.
Nga ana tjetër, militantët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, njoftuan për shënjestrimin e tankerit saudit të naftës Daisy në një rrugë tjetër ujore kyçe, Gjirin e Adenit, duke pretenduar se e kishin goditur anijen me një raketë balistike, e cila ishte detyruar të ndryshonte kurs dhe të kthehej mbrapsht.
Pas pretendimeve të Izraelit për shkelje të armëpushimit nga Libani, të cilën e shënjestruan pasditën e djeshme, raportohet se çmimet globale të naftës u rritën sërish pas rënies dhe pas shenjave të ndërprerjes së transportit detar në Detin e Kuq dhe mesazheve kontradiktore në lidhje me Ngushticën e Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1.3% afër orës 7:30 të mëngjesit ET duke u tregtuar në 80 dollarë për fuçi. WTI, indeksi amerikan i naftës, u rrit me 0.6% në 76 dollarë për fuçi afërsisht në të njëjtën kohë.
Ndërsa mëngjesin e kësaj të enjte, çmimi i naftës Brent tregtohet më pak se 80 dollarë për fuçi.
