Kosova
BRUKSELI NDRYSHON QASJE PER KOSOVEN
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përjashtuar mundësinë që Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të marrin një status të ndërmjetëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë një konference për shtyp, pas prezantimit të strategjisë së re të BE-së për zgjerimin, Kos u pyet nëse një model i ngjashëm me statusin e asociuar që po diskutohet për Kanadanë mund të aplikohej për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht Bosnjë-Hercegovinën.
Përgjigjja e saj ishte e prerë.
“Jo, nuk do ta bëja këtë, sepse ka një ndryshim”, deklaroi Kos.
Komisionerja argumentoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit evropian, ndërsa theksoi se objektivi përfundimtar duhet të mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
“Është e rëndësishme që t’i integrojmë të gjithë në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Duke iu referuar edhe historisë së saj personale nga hapësira e ish-Jugosllavisë, Kos e cilësoi vonesën e integrimit të Ballkanit Perëndimor si një nga gabimet e së kaluarës së Bashkimit Evropian.
Sipas saj, BE-ja po paguan sot pasojat e faktit që nuk e ka përshpejtuar më herët integrimin e rajonit.
Kos deklaroi se, për sa kohë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten pjesë e procesit të zgjerimit, ajo do të punojë që ato të arrijnë anëtarësimin e plotë.
Qëndrimi vjen në një moment kur Komisioni Evropian ka prezantuar strategjinë e re për përgatitjen e vetë Bashkimit Evropian për një zgjerim të ardhshëm, duke propozuar edhe forma të integrimit gradual për vendet kandidate përpara anëtarësimit.
Në rastin e Kosovës, megjithatë, deklarata e Marta Kos e bën të qartë se modeli i një statusi të ndërmjetëm nuk shihet si alternativë ndaj perspektivës së anëtarësimit të plotë.