Aktualitet
Pacolli dhe qeveria në kahe të kundërta, fati i Aeroportit të Vlorës kalon në arbitrazh
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar një vendim të mëparshëm që, sipas tij, kishte sjellë bllokimin e hyrjes në terminal dhe pengimin e vijimit të punimeve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli e cilëson vendimin si një fitore për kompaninë MABCO, ndërsa pretendon se çështja tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe është dërguar në arbitrazh. Ai thotë se përplasja ligjore po i shkakton kompanisë kosto të larta dhe dëme të tjera financiare.
Pacolli përmend edhe vendime të mëparshme të Gjykatës së Lartë dhe gjykatave të tjera, duke kërkuar që, sipas tij, personat përgjegjës për vendime që i konsideron të kundërligjshme të mbajnë përgjegjësi.
“FITORJA E RADHËS e MABCOS ndaj padrejtësive! Poashtu jam i lumtur që MASKAT PO BIEN!”, shkruan Pacolli, duke shtuar se vendimi i Apelit të Tiranës ka rrëzuar atë që ai e cilëson si një vendim të kundërligjshëm, të cilin e lidh me bllokimin e hyrjes në terminal.
Sipas Pacollit, qëllimi i MABCO-s mbetet përfundimi i ndërtimit dhe vënia në operim e aeroportit. Ai ngre gjithashtu shqetësimin për masat e vendosura nga arbitri emergjent ndërkombëtar, të cilat, sipas tij, po krijojnë pasiguri për vijimin e projektit.
“PËRFUNDIMI I NDËRTIMIT TË KËSAJ VEPRE ME RËNDËSI KOMBËTARE. Por organet e drejtësisë duhet të sjellin para përgjegjësisë të gjithë ata që vepruan kundërligjshëm dhe shkaktuan këto dëme”, shprehet ai.
Në një tjetër zhvillim, mediat në Kosovë raportojnë se Valon Lluka, i përmendur si ish-ortak i Pacollit në projektin e aeroportit, është paraqitur në Policinë e Kosovës, konkretisht në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Ky zhvillim vjen në një kohë kur përplasja mes palëve për projektin vijon edhe në aspektin gjyqësor dhe arbitrazhin ndërkombëtar.
Mosmarrëveshja lidhet me kontratën koncesionare për Aeroportin e Vlorës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës, duke argumentuar se nuk janë respektuar afatet për përfundimin e punimeve. Përplasja mes kompanive aksionere, MABCO Constructions të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit, ka ndikuar në ndërprerjen e punimeve.
Çështja më pas është zhvendosur në arbitrazh ndërkombëtar. Më 16 shtator, arbitri i emergjencës pranë ICC-së urdhëroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të përmbahej përkohësisht nga veprime që mund të përkeqësonin mosmarrëveshjen gjatë procedurës së arbitrazhit.
Pacolli e ka interpretuar këtë zhvillim si një arsye për rikthimin e palëve në dialog dhe për vijimin e punimeve. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dhënë një interpretim tjetër të vendimit, duke deklaruar se arbitri emergjent ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e palës investitore, përfshirë kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës.
Sipas ministrisë, masa e vendosur nga arbitri është e kufizuar dhe e përkohshme dhe synon ruajtjen e status quo-së deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit.
Në këtë fazë, palët mbajnë qëndrime të kundërta: Pacolli kërkon vijimin e projektit dhe përfundimin e punimeve, ndërsa qeveria shqiptare këmbëngul se kontrata është zgjidhur. Përplasja pritet të marrë një përgjigje në themel nga tribunali i arbitrazhit ndërkombëtar.