✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Balla në ceremoninë e Ambasadës së Izraelit: Të mos harrojmë viktimat

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Tiranë në përkujtim të sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se kujtimi i viktimave dhe solidariteti me familjet e tyre përbëjnë një detyrim, duke theksuar se kjo ngjarje nuk duhet të harrohet.

“Sot, më 7 tetor, kujtuam viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 në Izrael. Kujtesa mbetet një detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Të kujtosh do të thotë të mos harrosh”, deklaroi Balla.

Ai dënoi terrorizmin, antisemitizmin dhe format e urrejtjes, ndërsa solli në vëmendje edhe historinë e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Holokaustit.

Balla foli gjithashtu për traditën shqiptare të bashkëjetesës fetare, duke iu referuar konceptit të “Besës” dhe rolit që, sipas tij, ajo pati në mbrojtjen e familjeve hebreje të përndjekura gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ne nuk i shohim besimet e ndryshme si mure që na ndajnë. I shohim si rrugë të ndryshme që mund të bashkëjetojnë nën të njëjtën çati, brenda së njëjtës familje dhe si pjesë të të njëjtit komb”, tha ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Balla tha se përkujtimi i 7 Tetorit duhet të shërbejë si një përgjegjësi për të ardhmen dhe si një mesazh kundër urrejtjes.

“Le të mos bëhemi kurrë indiferentë ndaj urrejtjes. Dhe kujtimi i 7 Tetorit le të forcojë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një të ardhme ku paqja të jetë më e fortë se frika dhe humanizmi më i fortë se urrejtja”, u shpreh Balla.

Advertisement