✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Nga 61 në 41 bashki/ Berisha: Nesër të gjithë në protestë para Parlamentit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, që pritet të votohet në seancën plenare të ditës së nesërme.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha pretendoi se reduktimi i numrit të bashkive bëhet për interesa elektorale dhe se synimi është forcimi i pushtetit të kryeministrit Edi Rama. Sipas draftit të propozuar nga mazhoranca, numri i njësive të qeverisjes vendore pritet të reduktohet në 41 bashki.

Berisha e cilësoi reformën si një vendim që, sipas tij, prek drejtpërdrejt banorët e bashkive që do të preken nga riorganizimi territorial. Ai tha se kjo politikë është “kryekëput funksion elektoral” dhe pretendoi se reduktimi i bashkive nuk mbështetet në kritere të tjera.

“Kryefjala e sotme është seanca parlamentare e nesërme, në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton për hir të karriges së tij 15 bashki. Dhe redukton në këtë mënyrë në 41 njësi të qeverisjes vendore”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së tha gjithashtu se opozita ka propozuar një alternativë që parashikon 100 bashki, duke lënë të hapur mundësinë e shtimit të tyre pas konsultimeve me njësitë vendore.

Në këtë kuadër, Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga mbarë vendi, pavarësisht bindjeve politike, që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar para Parlamentit.

“Përveç kësaj, PD në projektin e saj, ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin në bazë të konsultimeve të bashkive të tjera. Nesër, qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht bindjeve politike, do të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare”, tha ai.

Berisha e akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama se po e përdor reformën për të garantuar qëndrimin në pushtet dhe e mbylli thirrjen e tij me kërkesën që qytetarët të protestojnë kundër projektit të mazhorancës.

“Në këtë rast, ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë para atij parlamenti që nuk meriton të ekzistojë, është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Ramës dhe organizatës së tij kriminale”, u shpreh Berisha.

Advertisement