Connect with us

Aktualitet

Ministrja Sala në spitalin Onkologjik: 10-vjeçari mposht tumorin në stadin IV me aparaturën e re moderne

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vizitoi Njësinë e Radioterapisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u informua për trajtimin e pacientëve onkologjikë dhe zhvillimet e fundit në këtë shërbim.

Gjatë vizitës u prezantua edhe rasti i një 10-vjeçari të diagnostikuar me limfomë Hodgkin në stadin IV, i cili ka përfunduar fazën e radioterapisë së konsolidimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, trajtimi është realizuar me akseleratorin e tretë linear, që ka hyrë në funksion në muajin maj të këtij viti.

Ministrja vlerësoi punën e ekipeve multidisiplinare të përfshira në trajtimin e pacientëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të specializuara për ofrimin e kujdesit të integruar.

Ajo bëri të ditur se në vijim pritet të vihen në funksion edhe akseleratori i katërt linear dhe shërbimi i brakiterapisë, me synim rritjen e kapaciteteve të trajtimit onkologjik në vend.

Sipas ministres, zgjerimi i pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale synon të lehtësojë aksesin e pacientëve në trajtim, duke reduktuar nevojën për udhëtime drejt Tiranës.

Advertisement