Connect with us

Rajon

Deklarata e Vuçiç për lumin Ibër/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Apel BE-së dhe SHBA-së!

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe kanë angazhuar ekspertë për këtë qëllim.

Përmes një deklarate zyrtare, KASH e konsideron veçanërisht alarmuese që një çështje kritike që lidhet drejtpërdrejt me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve, të përdoret në një kontekst politik si instrument presioni ndaj Republikës së Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rikujton se lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit (Gazivodës) janë vendimtarë për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie.

Sipas KASH-it, çdo ndërhyrje e njëanshme që synon të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe që shkakton pasojat ndërkufitare, përbën një veprim të papërgjegjshëm që bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

 

 

Në deklaratë nënvizohet se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta, si dhe në detyrimin e shteteve për të parandaluar dëmet ndaj palëve të tjera përmes bashkëpunimit, njoftimit dhe konsultimit paraprak.

KASH referon Konventën e OKB-së të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe Konventën e UNECE-së të vitit 1992, duke theksuar se projekte të tilla me ndikim serioz mjedisor e ekonomik nuk mund të trajtohen kurrsesi si çështje thjesht të brendshme të Serbisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit Vuçiç dhe institucioneve serbe të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që rrezikon sigurinë ujore dhe stabilitetin e rajonit.

Në të njëjtën kohë, KASH kërkon nga Uashingtoni, Brukseli, OSBE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë këtë situatë me seriozitetin maksimal dhe t’i kërkojnë transparencë e sqarime zyrtare Beogardit mbi ekzistencën e çdo projekti për devijimin e lumit Ibër, duke ritheksuar se uji duhet të bashkojë dhe jo të përdoret si armë politike.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, sipas së cilës autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe kanë angazhuar ekspertë për këtë qëllim.

KASH e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që një çështje që lidhet me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve përdoret në një kontekst politik dhe si instrument te mundshëm presioni ndaj Republikës së Kosovës.

Lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit/Gazivodës kanë rëndësi jetike për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe të shkaktojë pasoja të konsiderueshme ndërkufitare duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

KASH rikujton se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në disa parime themelore: përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta ujore; detyrimin e shteteve për të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të parandaluar shkaktimin e dëmit të konsiderueshëm ndaj palëve të tjera; detyrimin për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni; njoftimin dhe konsultimin paraprak për masa të planifikuara që mund të kenë efekte të konsiderueshme ndërkufitare; si dhe mbrojtjen e ekosistemeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Këto parime janë të mishëruara, ndër të tjera, në Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe reflektohen gjithashtu në Konventën e UNECE-së të vitit 1992 për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, si pjesë e kuadrit ndërkombëtar për menaxhimin paqësor dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore të përbashkëta.

Në këtë kuptim, çdo projekt që synon ndryshimin e rrjedhës së një lumi ndërkufitar dhe që mund të ketë pasoja serioze për furnizimin me ujë, energjinë, mjedisin dhe jetën ekonomike të një territori tjetër nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht e brendshme. Ai kërkon transparencë, vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar, njoftim, konsultim dhe bashkëpunim me palët e prekura, në përputhje me normat dhe parimet relevante të së drejtës ndërkombëtare.

KASH e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe të burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik. Një retorikë e tillë është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor.

KASH i bën thirrje Presidentit Vučić dhe institucioneve të Republikës së Serbisë të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që mund të cenojë sigurinë ujore, energjetike, ekonomike dhe mjedisore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Njëkohësisht, KASH u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë me seriozitet këtë deklaratë dhe të kërkojnë transparencë dhe sqarime nga autoritetet e Beogradit lidhur me ekzistencën e çdo projekti konkret për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se uji është një burim jetik që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë popujt. Stabiliteti dhe paqja afatgjatë në rajon nuk mund të ndërtohen përmes kërcënimeve apo përdorimit të burimeve natyrore si mjete presioni, por vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.

Advertisement