Connect with us

Politike

Shqipëria nën pushtimin e flakëve/ Balla gjen fajtorin: Nuk janë nga Zoti, por nga robi

Pas zjarrit që përfshiu gjatë pasdites zonën e Daiasit në Tiranë, ku për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla u është përgjigjur kritikave lidhur me angazhimin e mjeteve ajrore në operacionet për përballimin e zjarreve. Ai deklaroi se strukturat e emergjencave, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në disa zona të Tiranës.

Sipas Ballës, në kurorën e Tiranës janë aktualisht katër vatra zjarri, në Priskë, Daias, Surrel dhe Gurrë.
“Në terren janë avionë, helikopterë, makina të reja dhe të vjetra zjarrfikëse, zjarrfikës e forca të armatosura”, shkroi ai.

Balla ngriti gjithashtu dyshime për zjarrvënie të qëllimshme dhe kërkoi që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

“Nuk janë zjarre nga Zoti, po nga robi. Ndezje të qëllimshme. Ata që ndezin zjarre duhet ta dinë se zjarrvënia është vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite burg!”, deklaroi Balla.
Zjarri në Daias u përhap me shpejtësi gjatë pasdites, i favorizuar nga erërat e forta, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren. Në operacion u angazhuan shërbimet zjarrfikëse dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, me qëllim kufizimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Advertisement