Bota
Putin kërcënon Perëndimin: Nëse sekuestroni anijet ruse, do të përgjigjemi njësoj!
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar vendet perëndimore për kundërpërgjigje në rast se vijojnë sekuestrimet e anijeve tregtare ruse.
Gjatë një vizite në ishullin Sakhalin, në lindje të Rusisë, Putin deklaroi se Moska do të veprojë në mënyrë reciproke ndaj vendeve që ndërmarrin masa të tilla kundër mjeteve lundruese ruse.
“Sekuestrimi i anijeve ruse është pirateri, do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha ai.
Presidenti rus e cilësoi sekuestrimin e anijeve si “pirateri”, ndërsa pretendoi se disa vende perëndimore po përpiqen të kufizojnë lëvizjen dhe aktivitetin e tyre.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara mes Moskës dhe Perëndimit. Vendet perëndimore kanë intensifikuar masat ndaj sektorit energjetik rus, përfshirë kontrollet dhe ndalimet e cisternave të dyshuara për transportimin e naftës ruse në kundërshtim me regjimin e sanksioneve.
Putin iu rikthye gjithashtu kritikave ndaj NATO-s. Ai akuzoi Aleancën se po zgjeron praninë në rajonin e Azi-Paqësorit dhe se po kontribuon në rritjen e tensioneve në Arktik.