✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Shqipëria mbyll kapitullin 20, Marta Kos: E ardhmja juaj është në BE

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në procesin e integrimit evropian, teksa vendi pritet të mbyllë negociatat për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale.

Gjatë deklaratës së saj, Kos vlerësoi punën e institucioneve shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij kapitulli për zhvillimin e bizneseve, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si shtyllën kurrizore të ekonomisë.

Sipas saj, mbyllja e Kapitullit 20 synon të krijojë kushte më të mira për rritjen e sipërmarrjeve shqiptare dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Dua të përgëzoj institucionet, administratën publike dhe shqiptarët për një tjetër arritje. Kjo është arritja juaj, ministre Delina”, u shpreh Kos, duke iu drejtuar ministres Delina Ibrahimaj.

Komisionerja rikujtoi gjithashtu objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027. Ajo theksoi se për realizimin e këtij synimi nevojitet përfshirja e të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë, përfshirë qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile.

“Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar”, deklaroi Kos, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian po përgatitet për një zgjerim të mëtejshëm dhe se institucionet evropiane mbështesin perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim.

“E ardhmja e Shqipërisë është në BE, dhe këtë po e bëjmë me ju”, përfundoi komisionerja.

Advertisement