Connect with us

Aktualitet

4 vite në arrati/ Mjeshtri i shtatë identiteteve bie në pranga, ekstradohet në Shqipëri

Shtatë pseudonime, dokument identifikimi i falsifikuar dhe rreth katër vite në arrati.

Kështu ka përfunduar historia e një 42-vjeçari shqiptar, i dënuar në Itali për një seri vjedhjesh.

Autoritetet italiane e kishin shpallur në kërkim që prej vitit 2022, pasi vendimi për ekzekutimin e dënimit nuk mund të zbatohej, pasi ai nuk gjendej.

Hetimet çuan autoritetet drejt Shqipërisë, ku dyshohej se ai ishte fshehur në një zonë malore në lindje të vendit, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Arratisja ishte shoqëruar edhe me përdorimin e të paktën shtatë identiteteve të ndryshme.

Më 11 mars, ai u ndalua në portin e Durrësit, ku autoritetet zbuluan se kishte përdorur disa emra, mes tyre Armando Valchizan, Armando Dervishi, Armando Gheorghe, Altin Dervishi dhe Martin Dervishi.

42-vjeçari ishte dënuar për gjashtë vjedhje në zonat turistike të Lignano Sabbiadoro dhe Caorle, ndërsa një tjetër vjedhje ishte kryer në një banesë në Romë.

Sipas autoriteteve italiane, objektivat ishin kryesisht banesa pushimi dhe dhoma hotelesh, në zona me fluks të madh turistësh.

Në dosjen e tij figuron edhe një episod falsifikimi dokumentesh.

Në vitin 2016, gjatë një kontrolli në Caorle, karabinierët i gjetën një kartë identiteti rumune të falsifikuar.

Arrestimi dhe ekstradimi u realizuan falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, me koordinimin e Interpol Tiranës dhe Romës.

Pas katër vitesh arrati dhe përdorimit të disa identiteteve, 42-vjeçari tashmë ndodhet në burgun e Viterbos, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.

Advertisement