Bota
Alarm në NATO/ SHBA zbulon skenarin e frikshëm të Putinit për sulm ndaj aleancës
Inteligjenca amerikane ka ngritur shqetësimin për një skenar të ri të përplasjes mes Rusisë dhe NATO-s. Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Moska mund të shqyrtojë mundësinë e ndërmarrjes së një aksioni të kufizuar ndaj një vendi anëtar të Aleancës, me synimin për të testuar reagimin dhe unitetin e NATO-s.
Vlerësimet e cituara nga media amerikane e vendosin këtë mundësi në një periudhë që nis nga vjeshta e vitit 2026 dhe shtrihet deri në vitin 2029. Megjithatë, bëhet e qartë se nuk ka një datë konkrete për një sulm dhe se një inkursion tokësor konsiderohet aktualisht një skenar me probabilitet të ulët.
Skenarët e mundshëm nuk lidhen domosdoshmërisht me një luftë të gjerë. Rusia mund të përdorë sulme kibernetike, sabotazh ndaj infrastrukturës kritike, dronë apo raketa, grupe të armatosura pa shenja identifikuese, deri te një inkursion i kufizuar në territorin e një vendi të NATO-s.
Sipas vlerësimit amerikan, objektivi mund të mos jetë pushtimi i një territori të gjerë, por testimi i reagimit të Aleancës. Moska do të kërkonte të kuptonte nëse vendet anëtare do të reagonin në mënyrë të bashkuar apo nëse një incident i kufizuar do të shkaktonte përçarje brenda NATO-s.
Në fokus të shqetësimeve janë veçanërisht vendet e krahut lindor të Aleancës, mes tyre Polonia dhe shtetet baltike, për shkak të afërsisë së tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Alarmit i shtohen edhe incidentet e fundit me dronë. Më 14 gusht, avionë të NATO-s interceptuan dhe rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë. Dy ditë më vonë, një tjetër dron i dyshuar rus hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe u rrëzua nga një avion luftarak spanjoll F-18.
Autoritetet nuk i kanë cilësuar këto incidente si prova të një sulmi të planifikuar kundër NATO-s, por ato kanë shtuar shqetësimet për mënyrën se si Rusia mund të testojë mbrojtjen ajrore dhe reagimin e vendeve anëtare.
Paralelisht, Gjermania ka paralajmëruar për intensifikimin e luftës hibride. Shefi i ushtrisë gjermane, gjenerali Carsten Breuer, ka deklaruar se Rusia po teston vazhdimisht dobësitë e mbrojtjes së NATO-s përmes taktikave hibride, përfshirë incidentet me dronë.
Një nga skenarët më shqetësues për Aleancën është pikërisht një sulm i vogël, i paqartë dhe i vështirë për t’u klasifikuar. Një sabotim, sulm kibernetik, dron i armatosur apo inkursion i kufizuar do ta vendoste NATO-n përballë një dileme të madhe: si dhe sa fort duhet të reagojë.
Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
Nga NATO, mesazhi është se Aleanca është e përgatitur për skenarë të ndryshëm dhe e gatshme të mbrojë territorin e vendeve anëtare.
Për momentin, nuk ka prova publike se Vladimir Putin ka marrë vendim për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj NATO-s. Paralajmërimi amerikan lidhet me një dritare kohore nga vjeshta e vitit 2026 deri në vitin 2029 dhe me mundësinë që Moska të tentojë të testojë kohezionin e Aleancës përmes një aksioni të kufizuar.
Në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon dhe lufta hibride po shtrihet përtej fushëbetejës, shqetësimi kryesor i Perëndimit nuk është vetëm një luftë e madhe Rusi-NATO, por një incident i kufizuar që mund të dalë jashtë kontrollit dhe të ndezë një përplasje shumë më të gjerë.