Connect with us

Aktualitet

Zjarret nuk ndalen/ 7 vatra aktive, ushtria dhe avionët në betejë me flakët

Shqipëria vijon të përballet me një situatë të vështirë nga zjarret. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 7 prej tyre mbeten aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Një nga vatrat kryesore vijon të jetë në Malin e Dajtit, ku operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet me forca në terren dhe mbështetje nga ajri. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku është përqendruar një numër i madh forcash. Në operacion marrin pjesë 180 forca bashkiake, efektivë të Policisë dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri po realizohet me dy avionë Air Tractor.

Fushë-Lajë të Pukës, terreni i vështirë dhe erërat kanë favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Edhe këtu operacioni vijon me forca tokësore, mjete zjarrfikëse dhe mbështetje ajrore.

Ndërhyrjet vijojnë gjithashtu në Bruç të Matit dhe Lufaj të Mirditës, ku në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, Policie, Shërbimi Pyjor, struktura vendore, Forcat e Armatosura dhe banorë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në vatrat kryesore aktive nuk raportohet aktualisht rrezik për zonat e banuara. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin në të gjithë territorin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri.

Prioriteti i forcave në terren mbetet izolimi dhe shuarja e vatrave aktive, duke garantuar mbi të gjitha mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Advertisement