Kronike
Ekstradimi i 5 të dyshuarve për vrasjen e Nikulajt merr kthesë/ Londër i hap rrugë Apelit të Shqipërisë
Drejtësia shqiptare ka marrë një zhvillim të ri në përpjekjet për ekstradimin nga Britania e Madhe të pesë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Një zëdhënëse e Gjykatës Supreme në Londër i ka konfirmuar, se gjykata ka pranuar kërkesën e shtetit shqiptar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila më herët kishte bllokuar ekstradimin.
Kërkesa për apelim është pranuar nga tre gjyqtarë të Gjykatës Supreme angleze, Lord Lloyd-Jones, Lord Burrows dhe Lady Rose. Në muajt në vijim pritet që kjo gjykatë të shqyrtojë nëse vendimi që bllokoi ekstradimin ishte i drejtë.
Çështja lidhet me një problem procedural në dokumentet e ekstradimit. Në gusht 2024, Gjykata e Ekstradimeve në Londër kishte pranuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Edmond Haxhisë, Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, nën akuzën e vrasjes me paramendim.
Megjithatë, në certifikatat e ekstradimit, ish-sekretarja e Brendshme Yvette Cooper kishte vendosur gabimisht akuzat e mëparshme, “vrasja për shkak të gjakmarrjes” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Në maj 2026, Gjykata e Lartë pranoi apelimet e pesë të dyshuarve, duke u bazuar në mospërputhjen mes kërkesës shqiptare për ekstradim dhe akuzave të shënuara në certifikatat e lëshuara nga autoritetet britanike. Si pasojë, urdhrat e ekstradimit u shfuqizuan.
Tashmë, pranimi i apelit nga Gjykata Supreme i hap rrugë një shqyrtimi të ri të çështjes dhe rikthen në lojë kërkesën e Shqipërisë për sjelljen e pesë të dyshuarve përpara drejtësisë shqiptare.
Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt vijojnë të mbahen në paraburgim në Londër, ndërsa Harriet Bridgeman ndodhet e lirë me kusht. Ata dyshohen se kanë marrë pjesë në planin që çoi në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Për vrasjen e Nikulajt, Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën.