Aktualitet
Zjarret në vend/ 4 vatra mbeten aktive, shuhen në Lurë e Mat; riaktivizohet Priska
Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, por katër vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa në Priskë është regjistruar riaktivizim i flakëve.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 20:00, në të gjithë territorin janë evidentuar shtatë vatra zjarri, nga të cilat katër mbeten aktive dhe tri janë nën monitorim.
Operacionet po vijojnë nga toka dhe ajri. Forcat e Armatosura kanë angazhuar 140 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor” në mbështetje të strukturave të tjera në terren.
Në Dajt, puna vijon për izolimin e zjarrit me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Ministria bën të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatra në Priskë është riaktivizuar dhe po mbahet nën vëzhgim nga forcat operacionale. Edhe në këtë zonë aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës së prekur dhe situata nuk paraqet rrezik për banorët.
Një operacion i gjerë po zhvillohet edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, ku terreni i vështirë po komplikon ndërhyrjen. Në operacion janë përfshirë 13 zjarrfikës, tetë punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga dy helikopterë.
Lajme pozitive vijnë nga Gurë-Lura, ku zjarri është shuar plotësisht pas një operacioni ku morën pjesë rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të FA-së dhe dy avionë “Air Tractor”.
Është shuar plotësisht edhe vatra në Bruç të Matit, ndërsa zjarret në Qafë Helmës, Tharr dhe Selenicë po monitorohen dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje.