Aktualitet
Tragjedi mbi asfalt/ Policia me dorë të hekurt bën namin, ‘flakë’ patentash të pezulluara
Dyshimet se tejkalimi i shpejtësisë ka luajtur rol në aksidentin tragjik të mëngjesit të kësaj të mërkure në Durrës, ku humbën jetën 3 të rinj, rikthejnë në vëmendje një problem që përsëritet çdo ditë.
Vetëm në një javë, Policia Rrugore ka pezulluar më shumë se 1500 patentanë të gjithë vendin për drejtim të mjetit mbi limitet e lejuara.
Ekspertët paralajmërojnë se shpejtësia, e kombinuar me mungesën e sinjalistikës dhe kushtet e rrugës, mund të kthehet në një kombinim fatal.
Për të parandaluar aksidentet, pak javë më parë hynë në fuqi edhe ndryshime në Kodin Rrugor. Masat parashikojnë pezullime të patentës, deri në heqjen përfundimtare të saj për përsëritësit e disa shkeljeve, ndërsa përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit mund të sjellë gjithashtu pezullim të lejes së drejtimit.
Gjobat për manovrat e rrezikshme arrijnë deri në 60 mijë lekë.
Por ekspertët thonë se vetëm ndëshkimi nuk mjafton. Pas çdo aksidenti, kërkohet një hetim i plotë i mjetit, rrugës, sinjalistikës dhe sjelljes së drejtuesit, për të përcaktuar shkaqet dhe për të parandaluar përsëritjen e tragjedive.
Pavarësisht kontrolleve dhe fushatave të vazhdueshme të Policisë Rrugore, aksidentet me viktima vijojnë të mbeten një nga problemet më serioze të sigurisë rrugore në vend.