Politike
Rama me objektiva të qartë: Sezoni politik me energji të reja, me hapa të rinj
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si pozitiv bilancin e dy ditëve të takimeve në Pogradec me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat e kabinetit.
Në një postim të publikuar sot në rrjetet sociale, Rama flet për nisjen e një “sezoni politik me energji të reja” dhe për hapa të rinj drejt objektivit “Shqipëria 2030”.
“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipëri 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, shkruan kryeministri.
Postimi vjen pas përfundimit të një formati dyditor pune, ku fillimisht u mblodhën drejtuesit politikë të PS-së në qarqe dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, ndërsa në ditën e dytë Rama zhvilloi një takim me ministrat e kabinetit.
Takimet në Pogradec u zhvilluan në funksion të organizimit politik dhe analizës së punës së qeverisë.
Në ditën e parë, Rama mblodhi drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve. Diskutimet u përqendruan te organizimi i strukturave të PS-së, komunikimi me qytetarët dhe dokumentet e punës “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Një prej prezantimeve ishte edhe “Pasqyrë Albania”, një mekanizëm i ri për ndjekjen e kërkesave dhe problematikave të qytetarëve.
Dita e dytë iu kushtua kabinetit qeveritar. Ministrat raportuan mbi punën e dikastereve, rezultatet dhe problematikat, ndërsa Rama kërkoi reflektim dhe përmirësim të performancës së qeverisë.
Në fund të takimeve, kryeministri e përshkroi protestën e muajve të fundit edhe si një mundësi për reflektim, duke e lidhur klimën e krijuar me nevojën për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më cilësor me qytetarët.