Connect with us

Politike

Rama ende nuk ka mbaruar punë me socalistës, i mbledh sërish në selinë rozë

Takimet dy ditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama i pason me një tjetër mbledhje. Të premten në orën 17:30, kryeministri mësohet se do të mbledhë në selinë rozë drejtuesit politikë të qarqeve dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar.

Mbledhja vjen vetëm pak ditë pas takimeve me dyer të mbyllura në Pogradec, ku në qendër ishte qasja e re e qeverisë dhe Partisë Socialiste ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Rama kërkoi që problematikat e tyre të vendosen në krye të axhendës, duke u ngarkuar ministrave që çdo muaj të ndjekin punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë u kërkoi më shumë prani në terren.

Reflektimin për një qasje të re mbi problematikat e qytetarëve Partia Socialiste e ka mishëruar në dy dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, ku do të grumbullohen dhe ndiqen ankesat e qytetarëve. Synimi është që problematikat të marrin përgjigje brenda dy javësh dhe qytetari të mund të shohë në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tij.

Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, që do të gjurmojë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Ministrat bënë edhe një analizë të punës dhe prezantuan prioritetet për sektorët që drejtojnë.

Advertisement