Connect with us

Politike

Shpërthen Gaz Bardhi, kërkon lirimin e 14 protestuesve të ndaluar: Po dhunohen në polici

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përplasjes së regjistruar një ditë më parë mes policisë dhe protestuesve, duke dënuar përdorimin e forcës nga efektivët dhe duke kërkuar lirimin e 14 personave të arrestuar.

Përmes një reagimi, Bardhi e cilëson protestën si pjesë të 95 ditëve të rezistencës qytetare, ndërsa akuzon qeverinë se, përballë mungesës së argumenteve, po u përgjigjet qytetarëve me polici dhe dhunë.

Sipas tij, përdorimi i forcës nuk mund të ndalë protestën dhe as të shuajë kërkesat e qytetarëve.

“95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici! Kur një pushtet nuk ka më argumente, përdor forcën. Kur nuk dëgjon më qytetarët, përpiqet t’i trembë. Por qytetarët nuk tremben”, shkruan Bardhi.

Ai vijon reagimin duke theksuar se e drejta për protestë nuk mund të pengohet përmes arrestimeve apo dhunës.

“Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë”, shprehet kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi e akuzon më tej qeverinë se po përdor forcën për shkak të frikës nga reagimi qytetar.

“Ky nuk është pushteti i forcës. Është pushteti që ka frikë nga qytetarët. Dhe frika e një qeverie është zëri i një populli që nuk dorëzohet”, deklaron ai.

Në përfundim, Bardhi dënon atë që e cilëson si keqpërdorim të Policisë së Shtetit dhe dhunë ndaj protestuesve, ndërsa kërkon lirimin e menjëhershëm të 14 personave të arrestuar.

“Dënoj me forcë keqpërdorimin e Policisë së Shtetit, dhunën ndaj protestuesve dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar padrejtësisht”, përfundon reagimin e tij Bardhi.

Advertisement