Politike
Çfarë fshihet pas lëvizjeve të Ramës dhe Berishës? Ermal Hasimja zbërthen skemën
Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në një emision televiziv analizoi zhvillimet e fundit politike dhe ndikimin e lëvizjeve të Edi Ramës dhe Sali Berishës te qytetarët dhe dy partitë kryesore.
Hasimja u ndal veçanërisht te protesta që vijon prej 95 ditësh, duke argumentuar se ndryshimet në axhendën politike dhe mediatike nuk kanë zhdukur arsyet që, sipas tij, i kanë nxjerrë qytetarët në shesh. Sipas politologut, shqetësimet kryesore lidhen me rritjen e taksave dhe çmimeve, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
“Problematikat që i nxorën dhe arsyet që i nxorën njerëzit në shesh gjatë këtyre 95 ditëve janë po aty dhe nuk ndryshojnë”, tha Hasimja, duke shtuar se zhvillime të tjera politike apo gjyqësore mund të zhvendosin vëmendjen e mediave, por jo domosdoshmërisht shqetësimet e qytetarëve.
Sipas tij, sondazhet dhe perceptimi publik tregojnë se qytetarët nuk i kanë në qendër strategjitë apo lëvizjet e politikanëve, por çështje konkrete që lidhen me ekonominë, korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve.
Hasimja e shtriu analizën edhe te Partia Demokratike, duke thënë se edhe opozita vijon të përballet me sfida të rëndësishme. Sipas tij, PD ende nuk ka gjetur formulën e duhur për të mobilizuar elektoratin, edhe në një situatë kur qeverisja përballet me kritika dhe probleme të shumta.
“Partia Demokratike ende nuk e ka gjetur formulën e saktë për të mobilizuar elektoratin, edhe në kushtet kur qeverisja ka këto probleme madhore”, u shpreh politologu.
Në këtë kontekst, Hasimja vlerësoi se zhvillimet e fundit politike mund të ndryshojnë dinamikën e debatit publik, por nuk eliminojnë automatikisht pakënaqësitë që kanë ushqyer protestën prej 95 ditësh.