Connect with us

Kosova

EMRI/ Zbulohet urdhërdhënësi i vrasjeve në familjen Jashari

Prokuroria Speciale e Kosovës ka identifikuar Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”, si një prej figurave kryesore në planifikimin dhe drejtimin e operacionit kundër familjes Jashari në Prekaz.

Sipas deklarimeve të prokurorit special Valdet Gashi, Ulemek kishte drejtuar njësinë e operacioneve speciale që mori pjesë në sulm dhe kishte një detyrë të posaçme për të goditur drejtpërdrejt shtëpinë e Shaban Jasharit.

“Këtë njësi të operacioneve speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek, Legija, i cili atë që e thash më herët e ka pasur për obligim dhe për detyrë dhe me kërkesën e tij speciale që ta sulmojë drejtpërdrejtë shtëpinë e Shaban Jasharit”, ka deklaruar prokurori special.

Sulmi ndaj kompleksit të familjes Jashari në Prekaz ndodhi në mars të vitit 1998 dhe mbetet një prej episodeve më të rënda të luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte hapur hetimin për këtë ngjarje për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe autorët e krimeve të kryera gjatë operacionit.

Milorad Ulemek, ish-komandant i Njësisë për Operacione Speciale të policisë serbe, është një figurë e njohur e strukturave të armatosura serbe. Ai u dënua për rolin e tij në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç, ndërsa është dënuar gjithashtu për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliç dhe për përfshirje në atentatin ndaj opozitarit Vuk Drashkoviç.

Deklaratat e fundit të prokurorisë rikthejnë në qendër të vëmendjes rolin e strukturave speciale serbe në operacionin e Prekazit dhe synojnë të hedhin dritë mbi zinxhirin e komandimit dhe përgjegjësitë individuale për sulmin ndaj familjes Jashari.

Hetimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës vijon, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se përgjegjësit e krimit të marsit 1998 mund të përballen me ndjekje penale dhe aktakuza.

Advertisement