Connect with us

Bota

BE përgatit qendrat e deportimit jashtë Unionit/ Migrantët do të transferohen në 2027

Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një model të përbashkët për krijimin e “qendrave të kthimit” jashtë territorit të BE-së, ku mund të transferohen migrantë të parregullt, të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil dhe që nuk mund të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Kopenhagë, ku morën pjesë ministrat e Brendshëm të Danimarkës, Austrisë, Gjermanisë, Holandës dhe Greqisë. Pesë shtetet synojnë që transferimet e para të migrantëve drejt një vendi partner jashtë BE-së të nisin gjatë vitit 2027.

Aktualisht, negociatat vijojnë për përcaktimin e një ose më shumë shteteve partnere ku do të ngrihen këto qendra. Emrat nuk janë bërë ende zyrtarisht të ditur, ndërsa në raportimet mediatike janë përmendur Uganda dhe Ruanda si dy prej mundësive që po shqyrtohen.

Ministri danez i Migracionit, Morten Bødskov, deklaroi se parimet e dakordësuara në Kopenhagë krijojnë bazën për hapat e mëtejshëm dhe për realizimin e transferimeve të para në vitin 2027. Sipas tij, qendrat nuk do të funksionojnë si burgje apo kampe paraburgimi, por si objekte ku migrantëve të parregullt do t’u ofrohet një mundësi e re nga vendet partnere.

Financimi i funksionimit të qendrave pritet të mbulohet nga pesë shtetet pjesëmarrëse. Në kuadër të marrëveshjeve me vendet pritëse mund të ofrohen gjithashtu fonde shtesë, partneritete tregtare dhe stimuj të tjerë ekonomikë.

Në dokumentin e përbashkët të parimeve, skema përshkruhet si një mekanizëm që do të ndërtohet përmes “partneriteteve të barabarta dhe reciprokisht të dobishme” me shtetet jashtë Bashkimit Evropian.

Nisma synon të reduktojë ndjeshëm migrimin e parregullt drejt BE-së. Ministri austriak Gerhard Karner deklaroi se objektivi i përbashkët i pesë vendeve është që migrimi ilegal të shkojë drejt zeros.

Ndërkohë, negociatat me vendet që mund të përfshihen në këtë mekanizëm vijojnë. Ministri grek Thanos Plevris tha se diskutimet po bëhen më të thelluara dhe produktive, duke shprehur shpresën për arritjen e një marrëveshjeje në të ardhmen e afërt.

Pesë ministrat pritet të takohen sërish në Mynih, në fund të shtatorit, për të vijuar diskutimet mbi zbatimin e planit dhe përcaktimin e hapave konkretë për ngritjen e qendrave të kthimit.

Advertisement