Politike
Berisha mbledh Kryesinë e PD: Rama po kërcënon protestuesit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ftesa e tij për dialog me protestuesit nuk është e sinqertë, ndërsa paralajmërimet për masa ndaj personave të përfshirë në akte dhune i cilësoi si kërcënime. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, në ditën e nëntë të protestave në vend.
Berisha komentoi edhe paralajmërimin e Ramës për krijimin e një liste të personave të dhunshëm dhe vendosjen e kufizimeve ndaj tyre. Sipas kreut të demokratëve, këto deklarata tregojnë shqetësimin e kryeministrit për protestat, të cilat ai i konsideron një kërcënim për vazhdimësinë e qeverisjes socialiste.
Duke kundërshtuar pretendimet e Ramës për përfshirjen e elementëve të lëvizjes “Antifa” në protesta, Berisha deklaroi se nuk ka prova për këtë lidhje dhe akuzoi kryeministrin se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga korrupsioni dhe problematikat e qeverisjes. Ai pretendoi gjithashtu se sulmet ndaj selive të PD-së në disa qytete janë organizuar nga vetë kryeministri, pa paraqitur në deklaratën e tij prova që të mbështesin këtë akuzë.
Kreu i opozitës u ndal edhe te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, duke pretenduar se ajo, në bashkëpunim me Ramën, ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 12 miliardë euro nga punët publike. Berisha nuk paraqiti gjatë deklaratës prova konkrete për këtë shifër.
Në përfundim, kryetari i PD-së kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe e paralajmëroi atë për pasojat politike të vijimit të situatës. Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë dhe palët shkëmbejnë akuza për dhunën, përgjegjësitë dhe mundësinë e dialogut.