Connect with us

Bota

Bomba pa dorashka e Kushner: Izraeli po i vë shkopinj nën rrota planit të Trumpit për Gazën

Plani amerikan për Gazën rrezikon të ngecë përballë pengesave të reja nga Izraeli. I dërguari i posaçëm i Donald Trump, Jared Kushner, pranon se politika e brendshme izraelite po komplikon përpjekjet e Uashingtonit për të çuar përpara planin e paqes.

Kushner tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë dakord për objektivin final në Gaza, por zgjedhjet e ardhshme në Izrael po ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë.

Mesazhi i tij për kryeministrin Benjamin Netanyahu ka qenë i drejtpërdrejtë: të mos krijohen pengesa për zbatimin e planit amerikan.

Në thelb të përplasjes qëndron një pikë vendimtare: çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja e forcave izraelite nga Gaza. Uashingtoni kërkon të ecë drejt një administrimi të ri të territorit dhe nisjes së rindërtimit, ndërsa Izraeli këmbëngul se nuk do të ketë tërheqje pa çarmatimin e Hamasit.

Por edhe brenda Gazës situata mbetet e ndërlikuar. Kushner pranon se shkalla e militarizimit të territorit është shumë më e madhe nga sa ishte parashikuar dhe se çarmatimi i Hamasit do të jetë një proces jashtëzakonisht i vështirë.

Ndërkohë, Uashingtoni ka zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të Hamasit, në përpjekje për të krijuar kushtet për fazën tjetër të planit. Por pa një marrëveshje për çarmatimin dhe pa një formulë për tërheqjen izraelite, procesi mbetet i bllokuar.

Në mes të kësaj përplasjeje janë edhe zgjedhjet izraelite të 27 tetorit. Presioni politik mbi Netanyahun e bën edhe më të vështirë marrjen e vendimeve që mund të perceptohen si lëshime ndaj palestinezëve.

Ndërkohë, zyrtarë të strukturës së mbështetur nga SHBA për zbatimin e planit paralajmërojnë se pa çarmatimin e Hamasit, tërheqjen izraelite dhe krijimin e një administrimi tranzitor, rruga drejt një zgjidhjeje politike mbetet e bllokuar.

Kështu, plani i Trumpit për Gazën përballet me një provë vendimtare. Uashingtoni kërkon të kalojë nga armëpushimi te qeverisja dhe rindërtimi, por Izraeli kërkon garanci maksimale për sigurinë, ndërsa çarmatimi i Hamasit mbetet nyja që ende nuk është zgjidhur.

Dhe nëse kjo nyje nuk zgjidhet, armëpushimi mund të mbetet vetëm një pauzë, ndërsa plani amerikan për paqen rrezikon të përplaset me realitetin politik dhe ushtarak të Gazës.

Advertisement