Connect with us

Politike

Të premten ka estradë/ Dervishi tallet me ‘Praninë besnike’: Dëgjojnë hallet, bëjnë foton dhe kaq

Nisma “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët takohen çdo të premte me qytetarët për të dëgjuar problematikat e tyre, është vënë në pikëpyetje nga gazetari Lufti Dervishi.

I ftuar në një emision televiziv, Dervishi e cilësoi këtë nismë si një formë populizmi dhe ngriti pikëpyetje nëse takimet me qytetarët përbëjnë realisht një reflektim të qeverisë ndaj pakënaqësisë që po shfaqet në shoqëri.

Sipas gazetarit, ekziston një hendek mes deklaratave publike të qeverisë dhe veprimeve konkrete.

“Po i dëgjojmë fjalët, por po i shohim edhe veprimet. Ka një mospërputhje mes asaj çka thuhet dhe asaj çka bëhet”, u shpreh Dervishi.

Ai e lidhi populizmin me vendosjen e liderit mbi institucionet dhe me krijimin e perceptimit se problemet e qytetarëve mund të zgjidhen përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, në vend që të funksionojnë institucionet.

“Populizmi është lideri mbi institucionin. Populizëm është që ta kthesh shtetin në WhatsApp apo portal. Populizëm është që për problemet më të mëdha të bësh sikur po bën zgjidhje”, deklaroi gazetari.

Dervishi ishte veçanërisht kritik ndaj takimeve të së premtes mes deputetëve dhe qytetarëve, duke i konsideruar ato më shumë si një shfaqje publike sesa si mekanizëm konkret për zgjidhjen e problemeve.

“Më duket pak qesharake, takimi i së premtes, i xhumasë pasdite, po dëgjojmë halle, po bëjmë edhe një foto. Çfarë është kjo?! Edhe Estrada e Ushtarit ka pasur pak më shumë cilësi”, tha ai.

Në analizën e tij, gazetari argumentoi se qeveria është mësuar prej vitesh të përballet me kundërshtarin politik dhe se kjo e ka bërë më të lehtë përballjen me opozitën.

Por, sipas Dervishit, situata është ndryshe kur përballë qeverisë nuk është vetëm opozita, por pakënaqësia qytetare.

“Qeveria është mësuar me armikun, kundërshtarin prej vitesh, dhe e di si do ta përballojë, por s’e ka të qartë që s’është opozita përballë”, u shpreh ai.

Dervishi vuri në dukje se në një situatë protestash dhe pakënaqësie qytetare, reflektimi i qeverisë duhet të matet me vendime konkrete dhe jo vetëm me deklarata apo takime publike.

Në fund, ai e përmblodhi kritikën ndaj nismës me një frazë të fortë:

“Kush është ideja? Propagandë dhe më shumë propagandë. E shëmtuar!”

Sipas gazetarit, sfida për qeverinë nuk është thjesht të dëgjojë qytetarët, por të tregojë përmes veprimeve konkrete se problematikat e ngritura prej tyre kanë prodhuar edhe ndryshime reale.

Advertisement