Connect with us

Politike

Thaçi vlerëson Ramën: Po e bën Shqipërinë evropiane, hallall që nuk po dorëzohet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar kryeministrin Edi Rama për reformat dhe angazhimin e tij në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në një mesazh nga Haga, Thaçi tha se Rama e ka vizituar disa herë dhe se për këtë i është mirënjohës, duke theksuar se përmes reformave ai synon ta bëjë Shqipërinë një vend evropian.

“Edi më ka vizituar disa herë. I jam mirënjohës nga zemra. Ai, pikërisht përmes reformave, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë evropiane”, u shpreh Thaçi.

Duke bërë një krahasim me figurat historike të Fan Nolit dhe Faik Konicës, Thaçi tha se vështirësitë me të cilat përballet sot Shqipëria në rrugëtimin drejt Evropës mund t’u ishin dukur atyre të parealizueshme.

“Do ta shpallnin të çmendur, aventurier apo gjeni”, shkroi Thaçi, duke iu referuar sfidave të procesit të integrimit evropian.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e Ramës me ndërkombëtarët dhe gatishmërinë e tij për të dëgjuar kritikat.

“Edi po e vlerëson besimin qytetar dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Po e dëgjon me vëmendje edhe kritikën. Hallall, nuk po dorëzohet përballë vështirësive. Shqipëria po ecën përpara”, deklaroi Thaçi.

Në vijim, ish-presidenti i Kosovës u ndal te konfirmimi se Tirana do të presë vitin e ardhshëm samitin e NATO-s, duke e cilësuar këtë si një moment historik për Shqipërinë.

“Konfirmimi për organizimin e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, krahas anëtarësimit të saj në NATO, është pika kulminante e historisë politike të Shqipërisë”, tha ai.

Sipas Thaçit, organizimi i samitit është gjithashtu një dëshmi e besimit të vendeve perëndimore ndaj progresit euro-atlantik të Shqipërisë.

Ai nuk la pa përmendur as Kosovën, duke shpresuar që kryeministri Rama të gjejë një mënyrë që Prishtina të jetë e pranishme në margjinat e samitit të NATO-s në Tiranë.

“Pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, shpresoj që Edi të gjejë ndonjë hapësirë legale për pjesëmarrje e Kosovës në margjinat e samitit në Tiranë”, u shpreh Thaçi.

Në fund, ai theksoi se Rama ka ndihmuar më herët në përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, por pranoi se pjesëmarrja në samitin e NATO-s mund të jetë një sfidë më e vështirë.

“Por, edhe Kosova duhet ta ndihmojë vetveten”, përfundoi Thaçi.

Advertisement