Politike
Hipokrit i madh/ Bomba për Agron Shehaj…rebeli i kuvendit vihet në shenjestër
Përplasja politike mes Edi Ramës dhe protestuesve merr një tjetër dimension, ndërsa kryeministri ka rezervuar një sulm të drejtpërdrejtë për një deputet të opozitës, të cilin nuk e përmendi me emër, por përshkrimi i tij duket se i referohej kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Duke folur për protestat që prej rreth tre muajsh vijojnë në Tiranë, Rama e cilësoi deputetin një “hipokrit të madh”, duke pretenduar se pas retorikës së rebelimit fshihet një person i zhytur në paligjshmëri.
Kryeministri tha se nuk ka problem me rebelët, madje deklaroi se i respekton ata edhe kur nuk është dakord me idetë e tyre. Por krejt ndryshe, sipas tij, qëndron raporti me ata që i konsideron “hipokritë që rebelohen”.
Në këtë pikë, Rama solli shembullin e një deputeti që vendos telefonin përpara vetes dhe “ulërin” në Parlament.
“Një hipokrit i madh fare që rebelohet, që të vë telefonin përpara, që të ulërin në Parlament, është i zhytur deri këtu ai”, deklaroi Rama.
Edhe pse emri nuk u përmend, deklarata u interpretua si referencë ndaj Agron Shehajt, i cili është një prej figurave opozitare që ka qenë aktiv në qëndrimet publike kundër qeverisë dhe në mbështetje të protestave.
Rama tha se protestat dhe sfidat politike, në vend që ta dekurajojnë, e motivojnë. Por ai bëri një ndarje të fortë mes “rebelëve genuinë” dhe atyre që, sipas tij, përdorin rebelimin si fasadë politike.
Kryeministri foli edhe për komunikimet e tij me protestuesit, duke deklaruar se ka pasur kontakte personale me rreth 20 prej tyre. Sipas Ramës, disa prej tyre e kanë kritikuar dhe madje e kanë sharë publikisht, por pas një bisede direkte me të kanë ndryshuar qëndrim.
“Ka protestues që më kanë sharë, i kam marrë në telefon dhe kanë ndryshuar mendje. ‘Po ti në televizor më dukesh ndryshe’, më thonë”, tregoi Rama.
Në të njëjtën kohë, kryeministri nuk kurseu kritikat ndaj opozitës, të cilën e cilësoi si një prej dobësive të realitetit politik shqiptar.
“Opozitat tona janë të mos-o Zotshme”, deklaroi Rama.
Në një klimë protestash që vijojnë prej muajsh dhe me thirrjet për largimin e tij nga pushteti, Rama duket se e ka zgjedhur edhe një herë përplasjen frontale si përgjigje ndaj kundërshtarëve politikë.
Dhe këtë herë, pa e përmendur me emër, shënjestra e sulmit të tij ishte një deputet që kryeministri e përshkroi si “hipokrit”, “rebel” dhe “të zhytur në paligjshmëri”.