Thinking ...
Connect with us

Politike

HOROSKOPI I SPAK SIPAS EDI RAMES, PARALAJMERON FUNDIN E EPOKES: ‘BUM, BUM, BUM’

“Bum, bum, bum, bum, bum”.

Me këtë përshkrim, kryeministri Edi Rama ka karakterizuar fazën aktuale të goditjeve të SPAK ndaj zyrtarëve, duke dhënë edhe një parashikim të pazakontë për mënyrën se si, sipas tij, do të funksionojë drejtësia shqiptare në të ardhmen.

Rama deklaroi se vala aktuale e hetimeve dhe goditjeve ndaj korrupsionit e abuzimit është vetëm një fazë kalimtare, që do të pasohet nga një rikompozim i strukturës së shtetit dhe krijimi i “balancave të reja” mes tre pushteteve.

Sipas kryeministrit, në të ardhmen nuk do të ketë më situatën ku debati politik përqendrohet çdo ditë te pyetja se “kush po shkon në SPAK”.

“Nuk do të jetë më një fazë revolucionare, nuk do të ketë më ‘hajde kush po shkon te SPAK-u sot, kush po shkon te SPAK-u nesër’”, deklaroi Rama.

Kryeministri pranoi se SPAK do të vazhdojë të ngrejë akuza edhe në të ardhmen, por, sipas tij, nuk do të ketë më goditje të përqendruara si në fazën aktuale.

Dhe pikërisht këtu Rama prek edhe një nga debatet më të nxehta politike: nëse një akuzë nga SPAK duhet të sjellë automatikisht dorëheqjen apo largimin e një zyrtari.

Sipas tij, sot Evropa nuk ka një standard të unifikuar për këtë çështje. Rama përmendi Gjermaninë, Italinë dhe Francën si shembuj të ndryshëm të raportit mes një akuze penale dhe përgjegjësisë politike.

Ai solli si shembull edhe një rast nga Franca, duke argumentuar se një akuzë nga prokuroria nuk nënkupton automatikisht dorëheqjen e një ministri.

Në këtë pikë, Rama e lidh situatën shqiptare me karakterin ende të pakonsoliduar të institucioneve të reja të drejtësisë.

Sipas tij, SPAK është ende pjesë e një faze transformuese dhe nuk mund të konsiderohet si një institucion plotësisht i konsoliduar dhe demokratikisht solid.

Deklarata e kryeministrit hap kështu një debat më të gjerë: a po paralajmëron Rama një fazë të re për drejtësinë shqiptare, ku SPAK do të vazhdojë të hetojë, por goditjet e njëpasnjëshme do të zëvendësohen nga një sistem i ri balancash mes pushteteve?

Për Ramën, përgjigjja është e qartë: faza “revolucionare” e drejtësisë është e përkohshme dhe Shqipëria, sipas tij, po shkon drejt një tjetër modeli institucional.

 

Advertisement