Aktualitet
Bomba e Erion Braçes për gjyqësorin: Vetëgjyqësi nga njerëz me teka, janë harbuar fare…
Përplasja për pagat e magjistratëve merr tone të forta politike.
Pas kallëzimit në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, deputeti socialist Erion Braçe ka sulmuar ashpër gjyqtarët, duke e cilësuar kallëzimin si “vetëgjyqësi” dhe duke akuzuar një pjesë të sistemit të drejtësisë se po tejkalon kompetencat e veta.
Braçe argumentoi se, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përcaktimi i pagave të magjistratëve i takon Kuvendit.
Sipas tij, ministri i Financave nuk mund të vendosë vetë për pagat, por ka detyrimin të mbrojë buxhetin e shtetit dhe të garantojë qëndrueshmërinë fiskale.
Braçe e ashpërsoi edhe më tej gjuhën kur foli për kallëzimin në SPAK.
“Minimalisht është vetëgjyqësi”, deklaroi ai, duke shtuar se gjyqtarët duhet të sillen si nëpunës publikë dhe jo si njerëz që kanë në dorë fatin e gjithkujt.
Në qendër të debatit është vendimi për mënyrën e llogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Afati për Parlamentin për të ndërhyrë në këtë çështje ishte 31 korriku, ndërsa pas skadimit të tij, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, me një shtesë prej 14 mijë lekësh për kualifikimin.
Por kjo mënyrë përllogaritjeje është kundërshtuar nga Braçe, i cili e konsideron atë të papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Deputeti socialist paralajmëroi se nëse do të zbatohej formula e KLGJ-së dhe KLP-së, kostoja për shtetin do të shkonte në dhjetëra milionë lekë.
“Buxheti i shtetit ka limite. Nuk mund të kalojnë në harbim”, deklaroi Braçe.
Ai shtoi se paratë e buxhetit nuk janë të ministrit, por janë krijuar nga taksat e qytetarëve dhe se çdo vendimmarrje duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë fiskale të vendit.
Por Braçe nuk kurseu as kritikat ndaj Parlamentit.
Sipas tij, Kuvendi duhet të kishte ndërhyrë brenda afatit të përcaktuar dhe të kishte miratuar koeficientin dhe mënyrën e re të pagave.
Ndërkohë, deputeti socialist bëri edhe një dallim mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyrës se si institucionet e drejtësisë kanë vepruar më pas.
Braçe tha se, pavarësisht rezervave që ka për logjikën e vendimit të Kushtetueses, ai duhet zbatuar.
Në këtë përplasje, qeveria këmbëngul se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet, por duke marrë parasysh mundësitë reale dhe qëndrueshmërinë e buxhetit të shtetit.
Një debat që tashmë ka kaluar nga pagat e magjistratëve në një përplasje më të gjerë mbi kompetencat, buxhetin dhe kufijtë mes pushteteve.