Kosova
Në prag të vendimit në Hagë, mijëra qytetarë marshojnë për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së
Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke iu bashkuar “Marshit për Liri”, të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi ka mbërritur në marsh i shoqëruar nga deputeti i PS-së Taulant Balla.
Pjesë e tubimit janë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa në Prishtinë kanë mbërritur edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora. Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit, ndërsa mes pjesëmarrësve janë edhe shqiptarë nga Zvicra dhe vende të tjera.
Tubimi zhvillohet në prag të vendimit të shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Sakaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca janë gjithashtu të pranishme në sheshin Skënderbeu në mbështetje të “Marshit për Liri”. Pjesëmarrës është edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Vetëvendosje gjithashtu merr pjesë në marsh. Deputeti Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci dhe deputetët Adnan Rrustemi, Valon Hoti e Salih Zyba janë të pranishëm mes qytetarëve.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës ka marrë masa në qarkullim, ndërsa janë bllokuar përkohësisht rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”.
Organizatorët kanë bërë të ditur gjithashtu se është siguruar transport falas nga qytetet e Kosovës për qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen marshimit. Në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, transporti publik dhe parkingjet janë pa pagesë.