Kosova
Kush është Charles Smith, amerikani që dënoi me 81 vjet burgim ish krerët e UÇK
Charles L. Smith III është gjyqtari amerikan që kryesoi trupin gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, dhe që lexoi aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Smith është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017 dhe që prej 29 prillit 2020 mban edhe postin e nënkryetarit të këtij institucioni.
Angazhimi i tij në sistemin e drejtësisë në Kosovë nisi disa vite përpara krijimit të Dhomave të Specializuara. Nga viti 2010 deri në vitin 2013, ai shërbeu si gjyqtar në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX. Gjatë kësaj periudhe ishte gjithashtu anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, nga viti 2011 deri më 2013. Në EULEX, Smith shërbeu fillimisht si nënkryetar dhe më pas si kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve.
Para angazhimit në Kosovë, Smith kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në sistemin amerikan të drejtësisë. Në vitin 1990 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa. Nga viti 1996 deri në vitin 2010, ai shërbeu si kryegjyqtar i këtij distrikti dhe ishte njëkohësisht anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas.
Përpara emërimit në gjyqësor, Smith punoi si avokat privat nga viti 1970 deri në vitin 1989, duke trajtuar çështje civile e penale, si dhe raste në fushën e biznesit, tatimeve dhe trashëgimisë.
Ai përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin Creighton, ku mori gradën “Juris Doctor” në vitin 1970. Po atë vit u pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës, ndërsa një vit më vonë edhe në atë të Iowas. Prej vitit 2014, Smith ka ushtruar gjithashtu funksionet e ndërmjetësuesit dhe arbitrit.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, përveç çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Smith ka kryesuar edhe trupin gjykues në rastin ndaj ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Krahas detyrës së nënkryetarit të gjykatës, Smith ushtron edhe funksionin e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit.