Kosova
Përplasje SHBA-BE për Specialen/ Grenell i përgjigjet ashpër Marta Kos
Përplasja për qëndrimet ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë është zhvendosur edhe në deklaratat publike të përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, kishte kërkuar respektimin e vendimit të gjykatës, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë një organ gjyqësor i pavarur dhe se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Ajo e lidhi procesin me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, duke bërë thirrje gjithashtu për pajtim në rajon.
Qëndrimit të saj i është përgjigjur Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme. Në një postim në platformën X, Grenell kundërshtoi deklaratën e Kos dhe kritikoi ashpër funksionimin e Gjykatës Speciale.
“Jo. Të mbash dikë në burg për gjashtë vjet për diçka që pretendohet se ka ndodhur 25 vjet më parë, është e turpshme”, shkroi Grenell, duke argumentuar se Evropa duhet të reformojë institucionet dhe politikat e saj.
Ai e cilësoi procesin si “aktivizëm të elitave” dhe deklaroi se financimi për këto gjykata, sipas tij, duhet të ndërpritet.
Deklaratat vijnë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe pas reagimeve të ndryshme ndërkombëtare lidhur me vendimin. Qëndrimet e Kos dhe Grenell përfaqësojnë dy vlerësime të ndryshme mbi institucionin dhe mënyrën e trajtimit të vendimit gjyqësor.