Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Haga dha verdiktin/ Kur nuk e shkruan ti historinë tënde, ta noterizon dikush tjetër

Sonila Meço e sheh vendimin e Gjykatës Speciale si një ngjarje të rëndë për Kosovën, por thekson se ai duhet ndarë nga vetë historia e luftës çlirimtare.

Sipas saj, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë për Kosovën “thjesht katër të pandehur”, por figura të lidhura me një periudhë kur shqiptarët e Kosovës luftonin për mbijetesë dhe liri.

Autorja nënvizon një dallim thelbësor: gjykata gjykon përgjegjësinë individuale për krime, ndërsa nuk mund të gjykojë legjitimitetin historik të luftës së një populli. Ajo pranon se, nëse një individ ka kryer krime, duhet të mbajë përgjegjësi “pa ‘por’”, por kundërshton që kjo përgjegjësi të shndërrohet në barazim moral mes represionit serb dhe rezistencës së shqiptarëve të Kosovës.

Meço ngre gjithashtu pikëpyetje mbi krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se ajo nuk mund të shkëputet plotësisht nga konteksti gjeopolitik në të cilin u krijua.

Në fund, mesazhi i saj është se Kosova nuk duhet t’ua lërë të tjerëve dokumentimin e historisë së saj. Siç shkruan ajo: “Kur nuk e shkruan ti historinë tënde, gjithmonë gjendet dikush që ta noterizon në Hagë.”

SHKRIMI I PLOTE

Për Kosovën lajmi se Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit, duke i dënuar së bashku me 81 vite burgim (thuajse një shekull) është i rëndë. Por ndërsa janë çliruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit, asnjë verdikt gjykate nuk ka mundur të verë nën akuzë e pale te dënojë një popull dhe arsyen përse luftoi.

Është shumë e freskët dhimbja, shumë e rëndë pesha e emrave dhe shumë e madhe historia që ata përfaqësojnë, që dikush nga jashtë t’u shpjegojë kosovarëve se si duhet ta ndiejnë këtë vendim.

Prandaj, së pari, respekt për dhimbjen.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë për Kosovën thjesht katër të pandehur. Janë njerëz të lidhur pazgjidhshmërisht me një kohë kur shqiptarët e Kosovës nuk diskutonin për jurisprudencë ndërkombëtare, por për mbijetesë, gra të përdhunuara, terrorizëm, vrasje masive, shtëpi të djegura, familje të dëbuara, genocid dhe liri.

Dhomat e Specializuara e shpallën Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin fajtorë për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Por i shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, sepse Prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Gjykata tha gjithashtu se disa incidente konkrete të pretenduara si krime lufte nuk u provuan. Vendimi është i shkallës së parë. Apelimi vijon në shkallë të tjera.

Ky qe lajmi. Por e gjithë historia buron nga ca cene që e dobësojnë vendimin juridikisht, politikisht e moralisht.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën e Hagës e kanë cenin që në certifikatën e lindjes.

Ato “erdhën në jetë” pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015. Këshilli i Europës pohoi se këto ndryshime u miratuan “under pressure from the International Community”(nën presionin e Komunitetit Ndërkombëtar). Juridiksioni i tyre u lidh posaçërisht me pretendimet e raportit të Dick Marty-t dhe të tjera për krime të lidhura me UÇK-në në periudhën 1998–2000. Të gjitha të rrëzuara tashmë. Një kurth me shumë autorë.

Cenet vijojnë më tej. Quhen gjykatë e Kosovës, por ndodhen jashtë saj.

Zbatojnë ligjin e Kosovës, por përbëhen nga ndërkombëtarë.

U krijuan me votën e Kuvendit të Kosovës, por pas një presioni ndërkombëtar të dokumentuar.

Mandati i tyre u ndërtua mu bash prej pretendimeve për krime të lidhura me një krah të vetëm të luftës.

Seanca të mbyllura dhe një gjykatë larg vendit ku ndodhën ngjarjet. Dëshmi jo transparente. Madje vetë akuzat nuk kanë vendngjarje.

Asimetria ulëret edhe më tej si cen i dukshëm, sepse kúti matës nuk është i njëjtë për të gjitha palët e përfshira në luftë.

Në tokën e Kosovës nuk pati dy palë që u zgjuan një mëngjes dhe vendosën të përlesheshin.

Një popull i tërë nën represion kundër një aparati shtetëror serb që ushtroi dhunë masive, përdhunime, dëbime, genocid dhe vrasje. E kjo batërdi solli një luftë çlirimtare që lindi në atë realitet.

Këto janë fakte, që nuk mund ta sterilizojnë assesi kontekstin historik gjersa viktima dhe agresori të barabiten si dy palë të një konflikti laboratorik.

Nëse një shqiptar ka torturuar apo vrarë një të burgosur, le të mbajë përgjegjësi. Pa “por”.

Por po aq pa “por”, përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet, me kalimin e viteve, në një ekuivalencë morale mes projektit të represionit të egër dhe rezistencës historike ndaj tij.

Por ceni i ceneve është tjetër. Drejtësia mund të gjykojë individë. Mund të peshojë prova, të përcaktojë përgjegjësi, të dënojë krime. Dhe askush që ka luftuar për liri nuk fiton, vetëm për këtë arsye, imunitet për një krim të provuar.

Por “në emër të popullit të Kosovës” është një paradoks që dhemb në asht: një gjykatë e vendosur në Hagë, me gjyqtarë ndërkombëtarë, e krijuar për një juridiksion jashtëzakonisht të posaçëm, dënon katër prej figurave më të rëndësishme të luftës së Kosovës me frazën “në emër të vetë popullit të Kosovës.” Çmenduri.

Cen pas ceni, mbërrijmë tek një goxha problematik. A funksionon drejtësia penale ndërkombëtare në një vakum gjeopolitik? Sigurisht që jo. Gjykatat ndërkombëtare krijohen nga arkitektura politike, financohen prej saj, varen nga bashkëpunimi i shteteve dhe funksionojnë në një sistem ku fuqitë e mëdha kanë kapacitete shumë të ndryshme për t’iu nënshtruar juridiksionit.

A ishte ky gjygj i ndikuar nga gjeopolitika më shumë se nga vullneti për drejtësi? Po ja psh. aktakuza ishte depozituar nga Prokuroria më 24 prill 2020, por Prokuroria e bëri publike ekzistencën e saj më 24 qershor 2020, vetëm tri ditë përpara takimit Thaçi–Vuçiç të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Kjo kronologji është fakt.

Madje vetë Prokuroria shpjegoi publikimin e pazakontë të aktakuzës ende të pakonfirmuar duke pretenduar se Thaçi dhe Veseli po përpiqeshin të pengonin ose minonin funksionimin e Gjykatës. Ky ishte argumenti i Prokurorisë, jo një konstatim i vendimit të sotëm.

Pse u bë publike një aktakuzë ende e pakonfirmuar pikërisht në atë moment diplomatik?

Pra ka një mister politik të ligjshëm për kohën.

Procesi zgjati 6 vjet, por me shtyrje që ndërlidheshin në kohë me zhvillime gjeopolitike rajonale e ndërkombëtare.

Ajo që dallohet përtej emocionit e zhgënjimit të çastit është se drejtësia ndërkombëtare prodhon perceptimin e universalitetit të normës, ndërsa fuqia ndërkombëtare prodhon selektivitetin e zbatimit të saj.

Ky cen bën që një udhëheqës i një shteti të vogël, që nuk ka konsoliduar ende infrastrukturën diplomatike, lobuese, atë të kujtesës, dokumentimit, historiografisë rë jetë shumë më i ekspozuar ndaj mekanizmave ndërkombëtarë sesa drejtuesi i një fuqie ushtarake, bërthamore ose diplomatikisht të pazëvendësueshme.

Pa llogaritur këtu cenet e historisë, shekullore a më rishtare.

Por ja që kësisoj funksionon kjo botë, ndaj së cilës shqiptarët nuk kanë luksin mos nxënë mësime.

Thaçi është produkt i të njëjtit rend perëndimor që sot e gjykon.

UÇK-ja fitoi terrenin politik dhe Kosova fitoi mundësinë historike të shtetësisë në një arkitekturë sigurie të dominuar nga SHBA dhe NATO.

Thaçi më pas u bë partner i Perëndimit.

President.

Negociator.

Njeri i tavolinave diplomatike.

Dhe mandej një institucion i krijuar nën presion të fortë ndërkombëtar e futi në paraburgim dhe sot e dënoi në shkallë të parë me 25 vjet.

Që do të thotë se rendi që prodhon një elitë politike nuk garanton imunitetin e saj të përhershëm.

Që do të thotë se aleanca politike nuk krijojon imunitet penal.

Ky është mësim i madh.

Sepse janë njëkohësisht të vërteta të gjitha:

Se Thaçi e të tjerët në Hagë kanë qenë figura themelore të luftës çlirimtare të Kosovës.

Se Gjykata nuk ka gjykuar legjitimitetin e luftës së UÇK-së, por përgjegjësinë penale individuale.

Se Prokuroria nuk arriti të provojë krimet kundër njerëzimit.

Se paneli pretendon se provoi krime të tjera lufte përtej dyshimit të arsyeshëm, megjithëse nuk duhej të qe ky juridiksioni i tij, por i gjykatave në Kosovë.

Se mbrojtja mund ta sfidojë këtë në apel dhe të katërt të dalin të pafajshëm.

Se sistemi ndërkombëtar brenda të cilit zhvillohet ky proces nuk është politikisht neutral në kuptimin gjeopolitik të fjalës, përkundrazi.

Por ja që konteksti, ekuilibrat mund të ndryshojnë kuptimin politik të një gjyqi pa qenë shkaku juridik i tij.

Megjithëse shkaku juridik ra me rënien e arsyes së ngritjes së vetë Dhomave Speciale, raporti famëkeq i Dick Marty-t e ca broçkulla të ngjashme.

Por drejtësia ndërkombëtare, e krijuar për të qenë mbi politikën, dukshëm varet nga një rend ndërkombëtar ku ekuilibrat gjeopolitikë lëvizin gjithnjë më shpejt e më shpesh. Madje me dënimin e sotëm, Gjykata provoi se drejtësia e saj është shumë më e vogël sesa pushteti i saj për të dënuar. A kanë luksin shqiptarët të konsumohen në beteja mes vedi, me shtete të bëra copë prej pushtetesh të panginjur?

Një aktgjykim ka dy jetë. Njërën në jurisprudencë dhe tjetrën në politikë. Në të parën mund të dënohen katër individë. Megjithëse e drejta e apelimit në shkallë të tjera qendron aty. Në të dytën, ky vendim mund të citohet, përkthehet, përdoret dhe keqpërdoret për dekada.

Kosova e Shqipëria këtë s’duhet ta lejojnë.

Kosova vërtetë delegoi juridiksionin mbi një pjesë të historisë së vet, por zbuloi se bashkë me juridiksionin kishte deleguar edhe formulën e shpalljes së verdiktit në Hagë: “në emër të popullit të Kosovës”.

Ndoshta nuk ka qenë ky gabimi më i madh i shqiptarëve, por kujdesi i munguar për kujtesën historike dhe konsumimi në beteja për pushtet, që na lëshuan krejt në besimin naiv se e vërteta jonë historike ishte aq evidente, sa nuk kishte nevojë për dokumente, avokatë, arkiva shtetërore, institute studimore, universitete e kërkime shkencore, diplomaci dhe memorie shtetërore.

Se çfarë ka bërë Serbia prej dekadash për ta relativizuar e interpretuar historinë e dimë. Se si janë organizuar aleatët e saj për të ndërtuar balancë mes një lëvizjeje për çlirim dhe një makine genocidiale terrori…edhe ky nuk është sekret.

Respekti për Kosovën meriton të mos i kërkojmë historisë të thotë atë që nuk ka thënë gjykata dhe gjykatës të vendosë për atë që i takon historisë.

Shqiptarët, pas kaq shumë shekujsh duke ua lënë të tjerëve procesverbalin e historisë së tyre, duhet të kenë kuptuar më në fund se liria fitohet me luftë, por ruhet me shtet të fortë. Kur nuk e shkruan ti historinë tënde, gjithmonë gjendet dikush që ta noterizon në Hagë.

Advertisement