Sport
Alarm te Interi, zikaltërit mbeten pa trurin e mesfushës, Calhanoglu jashtë për superduelin me Romën
Goditje e rëndësishme për Interin përpara supersfidës me Romën. Zikaltërit do të zbresin në “Olimpico” pa një nga liderët e mesfushës, Hakan Calhanoglu.
Kontrollet mjekësore kanë konfirmuar një problem muskulor në aduktorin e kofshës së djathtë për mesfushorin turk, i cili kishte munguar edhe në ndeshjen ndaj Udineses.
Calhanoglu iu nënshtrua ekzaminimeve në Institutin Klinik “Humanitas” në Rozzano, ndërsa Interi konfirmoi se gjendja e tij do të vlerësohet sërish në ditët në vijim.
Por përballja e së shtunës ndaj Romës pritet ta gjejë Interin pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm të tij.
Në dyshim mbetet edhe John Stones, i cili u largua i dëmtuar nga fusha, ndërsa lajmet janë më pozitive për Federico Dimarcon. Edhe Lautaro Martinez pritet të jetë në dispozicion për supersfidën.
Dueli në “Olimpico” merr një rëndësi të veçantë, pasi Roma dhe Interi janë dy skuadrat e vetme që kanë marrë pikët e plota në katër javët e para të Serie A.
Roma kërkon të thyejë një tabu të gjatë përballë zikaltërve. Në 10 përballjet e fundit të zhvilluara në “Olimpico”, Interi ka regjistruar 7 fitore dhe 3 barazime.
Edhe Gian Piero Gasperini nuk ka një bilanc pozitiv ndaj Interit. Trajneri i Romës numëron 17 ndeshje radhazi pa fitore ndaj zikaltërve, ndërsa triumfi i fundit daton më 11 nëntor 2018, kur Atalanta mposhti Interin 4-1.
Tashmë Roma synon të thyejë serinë negative, ndërsa Interi do të kërkojë të ruajë ecurinë perfekte, por pa “trurin” e mesfushës, Hakan Calhanoglu.