Bota
Trump jep sinjalin e fortë/ SHBA drejt një baze të përhershme ushtarake në Poloni
Shtetet e Bashkuara po avancojnë planet për krijimin e një baze të ushtrisë amerikane në Poloni. Presidenti Donald Trump deklaroi se është arritur “përparim i rëndësishëm” dhe se vendndodhja e bazës mund të bëhet e ditur së shpejti.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të rëndësishëm drejt krijimit të një baze të ushtrisë amerikane në Poloni, një lëvizje që do të forconte praninë ushtarake të Uashingtonit në krahun lindor të NATO-s.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten, më 17 shtator, se bisedimet për projektin kanë avancuar, ndërsa vlerësoi rolin e presidentit polak Karol Nawrocki.
“Falë udhëheqjes së vendosur të mikut tim, presidentit polak Karol Nawrocki, është bërë përparim i rëndësishëm drejt krijimit të një baze të Ushtrisë Amerikane në Poloni”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur se, nëse projekti konkretizohet, vendndodhja e bazës pritet të shpallet së shpejti.
“Nëse kjo ndodh, vendndodhja do të njoftohet shumë shpejt. Ky do të jetë një hap historik për aleancën tonë të madhe amerikano-polake”, tha Trump.
Njoftimi sinjalizon mundësinë e një zgjerimi të mëtejshëm të pranisë ushtarake amerikane në Poloni, një nga vendet e NATO-s që kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë dhe që ka kërkuar prej kohësh forcimin e pranisë amerikane në territorin e saj.