Aktualitet
Pagat e magjistratëve, SPAK nis hetimet dhe sekuestron praktikat
SPAK ka nisur verifikimet lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Sipas gazetares Klodiana Lala, në kuadër të hetimit, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar praktikat përkatëse pranë Ministrisë së Financave.
Hetimi lidhet me kallëzimin penal të depozituar nga gjyqtarë dhe prokurorë për mosekzekutimin e pagave për muajin gusht. Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të verifikojë rrethanat që kanë çuar në mosdhënien e pagave dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, përcjellë apo zbatuar vendimmarrjen përkatëse.
Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj. Përfshirja e tij në kallëzim nuk përbën konstatim të përgjegjësisë penale, ndërsa pretendimet pritet të jenë objekt i verifikimeve nga organi i akuzës.
Në kallëzim argumentohet se çështja nuk lidhet me një rast individual, por prek një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Sipas kërkesës së paraqitur nga magjistratët, qëllimi i hetimit është përcaktimi i përgjegjësive individuale për veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave.
Çështja e pagave të magjistratëve është bërë prej javësh objekt debati mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit, veçanërisht pas përplasjeve lidhur me zbatimin e vendimeve për skemën e pagave.