Thinking ...
Connect with us

Rajon

Daçiç sulmon UÇK-në pas vendimit në Hagë, akuzon gjykatën për “manovër politike”

Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka reaguar ndaj dënimit të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e paraqitur aktgjykimin si konfirmim të akuzave të Beogradit ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në deklaratën e tij, Daçiç e cilësoi UÇK-në “organizatë kriminale dhe terroriste” dhe pretendoi se vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit rrëzon vlerësimin e tyre si heronj kombëtarë.

Ky është interpretimi i zyrtarit serb. Në njoftimin zyrtar, Dhomat e Specializuara sqarojnë se procesi trajtoi përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Kryetari i trupit gjykues theksoi se në gjykim nuk ishte legjitimiteti i UÇK-së apo synimi për një Kosovë të pavarur, por veprimet kriminale që u atribuohen disa prej pjesëtarëve të saj.

Daçiç shprehu pakënaqësi për shpalljen e katër ish-drejtuesve të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Ai e quajti këtë pjesë të vendimit “manovër politike”, duke pretenduar se minimizon vuajtjet e viktimave serbe. Sipas tij, as dënimet e shqiptuara nuk janë në përpjesëtim me dhimbjen e familjeve të viktimave.

Me vendimin e shkallës së parë, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet, për krime lufte.

Për akuzat për krime kundër njerëzimit, gjykata sqaroi se prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Etiketimi i gjithë UÇK-së nga Daçiç mbetet qëndrim i tij politik, jo përfundim i këtij aktgjykimi.

 

Advertisement