✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Zhegrova shpërthen me dopietë, por e ardhmja te Juventus ende në pikëpyetje, Como nis gjuetinë

Edon Zhegrova ka dhënë sinjalin e parë të madh me fanellën e Juventusit, duke realizuar dy golat e tij të parë në Serie A. Por shpërthimi i yllit të Kosovës nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 3-2 të bardhezinjve ndaj Sassuolos.

Pavarësisht disfatës, për Zhegrovën kjo ndeshje mund të shënojë një moment të rëndësishëm çlirimi. Futbollisti dardan ka qenë në qendër të kritikave gjatë javëve të fundit, ndërsa roli i tij në formacionin e Juventusit ka qenë larg të qenit i qëndrueshëm.

Por pikërisht kur Zhegrova dha përgjigjen më të fortë në fushë, e ardhmja e tij në Torino mbetet e paqartë.

Vendimi i trajnerit Luciano Spalletti për ta lënë jashtë listës së Europa League nuk mund të ndryshohet dhe kjo situatë mund të ndikojë edhe në të ardhmen e lojtarit gjatë merkatos së janarit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Atalanta po monitoron me interes situatën e 27-vjeçarit dhe mund t’i ofrojë një rol më të rëndësishëm, madje edhe një vend titullari që aktualisht nuk e ka të garantuar te Juventusi.

Në garë raportohet se është futur edhe Como. Të dy klubet mund të tentojnë një marrëveshje huazimi në janar, me opsion blerjeje në fund të sezonit.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur kontakte direkte apo oferta zyrtare për Juventusin. Për momentin, bëhet fjalë për pista ende në fazat e hershme dhe vendimi do të varet nga klubi torinez dhe vetë Zhegrova.

Futbollisti iu bashkua Juventusit nga Lille në shtator të vitit 2025, për rreth 15.5 milionë euro, ndërsa kontrata e tij në Torino është e vlefshme deri në vitin 2030.

Vlera e tij në “Transfermarkt” llogaritet aktualisht rreth 10 milionë euro, ndërsa Juventusi raportohet se do të kërkonte të paktën 15 milionë euro për ta lënë të lirë. E njëjta shifër ishte përmendur edhe gjatë verës, kur Lazio kishte shfaqur interes.

Me 46 ndeshje dhe 5 gola me Kosovën, Zhegrova mbetet një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit dardan.

Tani dopieta ndaj Sassuolos i ka dhënë atij një përgjigje në fushë. Por janari mund të sjellë pyetjen më të madhe: a do të jetë kjo dopietë fillimi i rikthimit të Zhegrovës te Juventusi, apo sinjali i fundit për një largim nga Torino?

Advertisement