Thinking ...
Connect with us

Rajon

Çfarë ndodhi në klinikë?/ Minutat e fundit të Mazonakis dhe alarmet e aparaturës

Detaje të reja po dalin lidhur me minutat e fundit të këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e vdekjes së tij. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, në fokus të hetimit janë regjistrimet e aparaturës së plazmaferezës që po përdorej gjatë trajtimit.

Sipas “Protothema”, aparatura është aktivizuar në orën 14:14, ndërsa Mazonakis dyshohet se kishte mbërritur në klinikë rreth orës 13:50-14:00. Në atë moment ende nuk kishte nisur shkëmbimi i gjakut. Nëntë minuta më vonë, në orën 14:23, sistemi regjistroi alarmin e parë.

Hetuesit po shqyrtojnë nëse alarmi lidhej me një problem teknik, siç mund të jetë përdredhja e një tubi, apo me ndryshime në presionin e pacientit.

Procedura e shkëmbimit të gjakut nisi në orën 14:37. Sipas të dhënave elektronike të aparaturës, momenti kritik regjistrohet në orën 15:22, kur trajtimi ndërpritet për herë të parë.

Nga kjo pikë, sistemi raportohet se ka regjistruar disa alarme të tjera. Sipas të dhënave të cituara nga mediat greke, deri në orën 15:45 janë regjistruar tre sinjalizime, të cilat po shqyrtohen nga autoritetet në lidhje me gjendjen e pacientit.

Në orën 15:45 është bërë një përpjekje për të rinisur aparaturën, por sistemi është ndalur sërish pothuajse menjëherë. Pikërisht kjo pjesë e regjistrimeve dixhitale po analizohet me vëmendje nga hetuesit, të cilët po përpiqen të përcaktojnë gjendjen e Mazonakis në atë moment dhe reagimin e stafit mjekësor.

Një tjetër element i rëndësishëm i kronologjisë është telefonata për urgjencën, e cila është bërë në orën 16:11. Kjo do të thotë se nga ndërprerja e parë e trajtimit në orën 15:22 deri në thirrjen për ndihmë emergjente kanë kaluar 49 minuta.

Të dhënat e aparaturës tashmë janë pjesë e materialeve që po shqyrtohen së bashku me pamjet e kamerave, fotografitë, dëshmitë dhe dokumentacionin elektronik. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë me saktësi momentin kur gjendja e këngëtarit u përkeqësua dhe nëse procedurat mjekësore të ndjekura ishin në përputhje me protokollet.

Advertisement