Kosova
Kreu personalisht vrasjen e Behajdin Allaçit? Avokatët e Thaçit: Prova të brishta…
Gjatë arsyetimit të vendimit që dënoi Hashim Thaçin me 25 vite burgim, gjyqtari Charles L. Smith u ndal edhe te rasti i Behajdin Allaçit. Sipas arsyetimit të gjykatës, Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e Allaçit.
Avokati i Thaçit, Luka Mišetić, e ka kundërshtuar këtë vlerësim përmes një reagimi në platformën “X”. Ai pretendon se përfundimi i gjykatës është mbështetur në prova që i cilëson si të dobëta dhe ngre shqetësime për faktin se një pjesë e materialeve të procedurës nuk është bërë publike.
“Pretendimi se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaçit bazohet në prova tronditësisht të dobëta”, shkruan Mišetić, duke shtuar se këto prova, sipas tij, janë urdhëruar të mos i nënshtrohen shqyrtimit publik.
Avokati ngre gjithashtu shqetësime lidhur me transparencën e procesit dhe të drejtën për një gjykim publik, duke iu referuar edhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Avokatisë së Anglisë dhe Uellsit.
Deklaratat e mbrojtjes përbëjnë qëndrimin e ekipit ligjor të Thaçit, ndërsa vlerësimi mbi provat dhe përgjegjësinë penale të tij është pjesë e arsyetimit të trupit gjykues.