Rajon
Serbia frikëson rajonin? Demonstron robotët vrasës disa ditë pas hapjes së fabrikës kineze
Ushtria serbe ka shfaqur robotë katërkëmbësh të armatosur duke vepruar përkrah ushtarëve gjatë stërvitjes së madhe ushtarake “Victor 2026”, zhvilluar në poligonin e Pešterit, në jugperëndim të Serbisë. Ministria serbe e Mbrojtjes konfirmoi përdorimin e platformave robotike dhe pa ekuipazh gjatë stërvitjes, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë robotët duke lëvizur në një zonë të simuluar urbane së bashku me forcat speciale.
Shfaqja e tyre më 13 shtator erdhi pak ditë pas hapjes së një fabrike robotësh në Shabac, në Serbinë perëndimore. Presidenti Aleksandar Vuçiç kishte deklaruar më 29 gusht se robotët e armatosur, të projektuar në Kinë dhe të destinuar për ushtrinë serbe, do të shfaqeshin brenda 15 ditësh nga hapja e fabrikës.
Sipas Radio Evropa e Lirë, robotët e parë të shfaqur në stërvitje ngjajnë me modelin D1 Max Pro të kompanisë kineze AgiBot, e cila është partnere në fabrikën e Shabacit. Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse robotët e përdorur nga ushtria serbe janë montuar në Serbi.
Pamjet e stërvitjes tregojnë robotët katërkëmbësh duke vepruar përkrah ushtarëve dhe duke hyrë në një ndërtesë të improvizuar. Sipas raportimit të RFE/RL, platformat ishin të pajisura me armë automatike, granatahedhës 40-milimetërsh dhe raketa antitank “Wasp”.
Vetë Ministria serbe e Mbrojtjes e përshkroi stërvitjen si një demonstrim të përdorimit të sistemeve të reja dhe të modernizuara, përfshirë platformat pa ekuipazh dhe robotike. Në stërvitje morën pjesë më shumë se 2 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura dhe mbi 500 mjete e sisteme ushtarake.
Fabrika e Shabacit është një projekt serbo-kinez dhe lidhet me kompanitë Minth Group dhe AgiBot. Sipas RFE/RL, objekti synon prodhimin në shkallë të gjerë të robotëve të projektuar në Kinë. Megjithatë, shkalla e saktë e prodhimit dhe e montimit të teknologjisë kineze në Serbi mbetet pjesërisht e paqartë.
Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i robotëve katërkëmbësh në operacionet ushtarake ende përballet me kufizime teknike. Jared Keller, ekspert amerikan i teknologjisë së armëve, tha për RFE/RL se këto platforma kanë ende probleme që lidhen me besueshmërinë dhe rrezen e veprimit. Ai argumentoi gjithashtu se shfaqja publike e këtyre sistemeve mund të ketë edhe një funksion demonstrues, për të sinjalizuar kapacitete teknologjike.
Robotët katërkëmbësh janë testuar edhe nga ushtri të tjera. Në Ukrainë, përdorimi i tyre u bë publik në vitin 2024, por sipas RFE/RL ata janë parë më rrallë në fushën e betejës krahasuar me platformat tokësore me rrota. Kompleksiteti mekanik, nevoja për shumë motorë dhe sensorë, konsumi i baterive dhe kostoja e lartë janë ndër faktorët që kufizojnë përdorimin e gjerë të tyre.
Shfaqja e këtyre sistemeve në ushtrinë serbe vjen në një periudhë kur Beogradi po zgjeron përdorimin e teknologjive të avancuara ushtarake dhe po thellon bashkëpunimin me Kinën. Përtej funksionit të tyre praktik në stërvitje, robotët kanë tërhequr vëmendje edhe për shkak të mesazhit teknologjik dhe ushtarak që përcjell demonstrimi i tyre publik.