Bota
BOMBA E TRUMP/ ZELENSKY: SHBA I JEP UKRAINËS LICENCËN PËR RAKETAT PATRIOT
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump ka marrë vendimin përfundimtar për t’i dhënë Ukrainës licencën për prodhimin e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
Sipas Zelenskyt, vendimi është konfirmuar gjatë takimit të fundit me Trump në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Ukraina do të marrë një licencë për të prodhuar raketa Patriot”, citohet të ketë thënë Trump sipas presidentit ukrainas.
Kievi e ka kërkuar prej muajsh këtë licencë, ndërsa Trump kishte shprehur më herët qëndrim pozitiv, por kishte theksuar se marrëveshja përfundimtare kërkonte kujdes për shkak të teknologjisë së ndjeshme.
Sistemet Patriot kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, veçanërisht ndaj raketave balistike dhe sulmeve me dronë e raketa ruse.
Megjithatë, mbeten për t’u sqaruar detajet teknike të marrëveshjes, afati i nisjes së prodhimit dhe nëse Ukraina do të prodhojë raketat e plota apo vetëm komponentë të tyre.
Deklarata e Zelenskyt sinjalizon se, sipas palës ukrainase, pengesa politike për dhënien e licencës tashmë është kapërcyer.