Bota
Zelensky: Do të takohemi me rusët! SHBA propozon takim trepalësh në Emiratet e Bashkuara Arabe
Shtetet e Bashkuara kanë propozuar zhvillimin e një takimi trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, në përpjekje për të avancuar diskutimet për përfundimin e luftës. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Pala amerikane ka propozuar një takim në nivel teknik, në format trepalësh”, u tha Zelensky gazetarëve.
Sipas presidentit ukrainas, Emiratet e Bashkuara Arabe janë propozuar si një nga vendet ku mund të zhvillohet takimi, ndërsa Kievi është në pritje të një propozimi konkret nga pala amerikane për datën.
Zelensky u shpreh se çështja e luftës në Ukrainë ishte pjesë e bisedimeve të zhvilluara këtë javë me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ndërkohë, nga Moska janë dhënë sinjale se një takim i ri mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë mund të zhvillohet së shpejti.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se i ka kërkuar Trumpit që çështjen e luftës në Ukrainë ta ngrejë gjatë kontakteve të tij me presidentin kinez Xi Jinping.
Në fokus të bisedimeve pritet të jetë edhe situata para dimrit dhe mundësia për uljen e tensioneve. Zelensky deklaroi se Kievi është ende në pritje të përgjigjeve nga ekipi amerikan lidhur me hapat e ardhshëm diplomatikë.
Një takim i tillë do të përbënte një tjetër përpjekje për të krijuar një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi mes palëve, në një kohë kur lufta vijon prej pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.