✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama për WELT: Europa nuk duhet të izolohet, duhet të ndryshojë

Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për gjermanen “Welt am Sonntag” për të ardhmen e Bashkimit Europian, procesin e integrimit të Shqipërisë, zhvillimet gjeopolitike në Ballkan dhe sfidat ekonomike e demografike me të cilat përballet Europa. Rama e ka krahasuar BE-në me “Titanikun” që po shkon drejt një ajsbergu, duke argumentuar se Europa duhet të rrisë konkurrueshmërinë, inovacionin dhe aftësinë për të marrë vendime strategjike.

Gjatë intervistës, kryeministri ka folur edhe për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi dëshiron të bëhet pjesë e Unionit, ndërsa ka mbështetur edhe heqjen e të drejtës së vetos, me argumentin se një shtet i vetëm nuk duhet të ketë mundësinë të bllokojë vendimmarrjen e të gjithë Europës. Ai ka komentuar gjithashtu marrëdhëniet me Kinën, Rusinë dhe Turqinë, si dhe sfidat që lidhen me emigracionin dhe plakjen e popullsisë europiane.

Një pjesë e intervistës i është kushtuar edhe situatës politike në Shqipëri, luftës kundër korrupsionit dhe hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë. Rama ka deklaruar se vendi është në fazën përfundimtare të procesit të luftës kundër korrupsionit dhe ka thënë se përgjegjësia e tij politike lidhet me faktin që institucionet shqiptare tashmë mund t’u kërkojnë llogari zyrtarëve.

Në fokus ka qenë edhe projekti i resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe protestat e “Revolucionit të Flamingove”. Rama ka thënë se shqetësimet e protestuesve janë legjitime, por ka kundërshtuar akuzat ndaj qeverisë, duke theksuar se ende nuk ka një kontratë përfundimtare dhe se vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces. Duke folur për vëmendjen ndërkombëtare ndaj protestave, ai ka përmendur edhe demokratët amerikanë, duke thënë se nëse nuk mundën ta mposhtnin Donald Trumpin në SHBA, nuk duhet të vijnë në Shqipëri “për t’u hakmarrë”.

Advertisement