Kosova
Kosova pas Vuçiçit/ Sonja Biserko: Karta që Beogradi nuk e heq nga loja
Edhe nëse Aleksandar Vuçiq largohet nga pushteti, Serbia nuk pritet të ndryshojë shpejt kursin ndaj Kosovës. Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, paralajmëron se Prishtina duhet të llogarisë me një realitet të tillë edhe në një epokë post-Vuçiq.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Biserko vlerëson se Kosova do të vazhdojë të jetë një prej instrumenteve kryesore të mobilizimit politik dhe emocional në Serbi, pavarësisht se kush do të jetë në krye të qeverisë në Beograd.
“Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes”, tha ajo, duke shtuar se një ndryshim i pushtetit nuk do të sillte domosdoshmërisht ndryshim sa i përket statusit të Kosovës.
“Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, deklaroi Biserko.
Pas Vuçiqit mund të ndryshojë metoda, jo qëndrimi
Sipas saj, ndryshimi më i mundshëm nuk do të ishte në pretendimin politik të Beogradit ndaj Kosovës, por në mënyrën se si Serbia ushtron ndikimin mbi komunitetin serb në Kosovë.
Një qeveri e re në Beograd mund të rishikojë strukturat politike dhe institucionale të ngritura gjatë viteve të pushtetit të Vuçiqit, përfshirë edhe rolin e Listës Serbe.
Pikërisht këtu, sipas Biserkos, mund të hapet një mundësi për një qasje tjetër ndaj serbëve të Kosovës.
“Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, tha ajo.
Pra, një Serbi post-Vuçiq mund të ndryshojë mënyrën e komunikimit dhe të ndërhyrjes në Kosovë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ndryshojë edhe objektivin strategjik të Beogradit.
Serbia përballë krizës së identitetit
Biserko paralajmëron se sfida më e madhe mund të jetë vetë Serbia.
Pas 14 vitesh të dominimit politik të Vuçiqit dhe përballë protestave të vazhdueshme kundër tij, vendi mund të hyjë në një periudhë të gjatë pasigurie dhe riorganizimi politik.
“Vetë Serbia do të kalojë nëpër një fazë, gjatë së cilës duhet t’ia shtrojë vetes disa pyetje thelbësore dhe t’u japë përgjigje”, u shpreh Biserko.
Sipas saj, ndër pyetjet kryesore janë: Ku janë kufijtë tanë? Cili është identiteti ynë? Dhe ku përkasim?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, sipas saj, do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si Serbia do ta trajtojë Kosovën.
“Një fazë që do të zgjasë me vite”
Biserko nuk pret një tranzicion të shpejtë.
Përkundrazi, ajo paralajmëron se Serbia mund të përballet me një periudhë të gjatë destabiliteti politik, në të cilën beteja për pushtet, identitet dhe orientim gjeopolitik do të ndërthuret edhe me çështjen e Kosovës.
“Serbia po hyn në një fazë shumë të trazuar, që do të zgjasë me vite”, tha Biserko.
Në këtë skenar, largimi i Vuçiqit nuk do të nënkuptonte automatikisht një kthesë ndaj Kosovës. Emri i liderit mund të ndryshojë, por “karta e Kosovës” mund të mbetet në tavolinën e politikës serbe.