Politike
RAMA S’PYET ASNJE/ MZIU E KA TE QARTE: AI PO BEN VIZATIME ELEKTORALE PER TE FORCUAR PUSHTETIN
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka kundërshtuar projektin e ri të Reformës Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po e përdor ndryshimin e hartës administrative për të forcuar pushtetin qendror.
Mziu tha se reforma e vitit 2015 ka sjellë pasoja negative në zonat rurale, duke përmendur mbylljen e shkollave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve të tjera publike.
Sipas tij, këto zhvillime kanë ndikuar në shpopullimin e qindra fshatrave dhe në dobësimin e lidhjes mes pushtetit vendor dhe qytetarëve.
Mziu tha se PD ka kërkuar rritjen e numrit të bashkive dhe ka paraqitur dy alternativa, me 94 dhe 97 njësi vendore. Ndërsa për propozimin aktual të mazhorancës, ai pretendon se ulja e numrit të bashkive sjell më shumë centralizim.
“Kur ka një mazhorancë me 84 vota, ai e zvogëlon numrin e bashkive sepse ndodh centralizimi. Dhe ai që e pëson është qytetari, ndërsa ai që fiton është partia në pushtet”, deklaroi Mziu.
Deputeti demokrat solli si shembull edhe ndarjen aktuale mes qarqeve, duke vënë në dukje se Gjirokastra ka shtatë bashki, ndërsa Lezha, që sipas tij është rreth dy herë më e madhe, ka vetëm tre.
Mziu akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se harta e re po ndërtohet mbi kalkulime elektorale dhe jo mbi nevojat e komuniteteve.
“Kryeministri i sotëm bën vizatime elektorale dhe nuk pyet për kërkënd”, tha ai.
Sipas Mziut, procesi i konsultimit nuk ka prodhuar një debat real dhe autoritetet vendore nuk janë dëgjuar në mënyrën e duhur.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur drafti i mazhorancës për hartën e re territoriale është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve dhe parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore. Projektligji pritet të shqyrtohet në Kuvend më 8 tetor.